Bota

Virusi po i sulmon disa vende, por disa po i kursen, pse?

Koronavirusi ka shkaktuar aq shumë vdekje në Iran saqë ky shtet kreu varrime masive, por në Irakun fqinj, numri i të vdekurve nuk e kalon 100.

Republika Dominikane ka raportuar për shtatëmijë e gjashtëqind raste me virus. Matanë kufirit, Haiti ka bërë të ditur se ka vetëm 85 raste.

Në Indonezi, mijëra persona besohet se kanë vdekur nga virusi korona. Në fqinjësi, në Malajzi, masat strikte të mbylljes kanë mbajtur numrin e rasteve fatale në rreth njëqind sosh.

Mister për studiuesit

Virusi korona ka prekur pothuajse çdo shtet në sipërfaqe të dheut, por ndikimi i tij duket kapriçioz. Metropolet botërore, si New Yorku, Parisi dhe Londra janë dërrmuar, përderisa qytete të mëdha të ngjashme, si Bangkoku, Bagdadi, New Delhi dhe Lagosi kryesisht kanë shpëtuar prej ndikimit shkatërrues të virusit me kurorë.

Çështja është se pse virusi ka bërë kërdinë në disa vende e disa të tjera i ka kaluar pothuajse pa i prekur, duke nxitur kështu studiuesit të mendojnë për teori e spekulime, por pa nxjerr një përgjigje përfundimtare. Këto të dhëna mund të kenë implikime të thella për mënyrën se si shtetet i përgjigjen virusit, për të përcaktuar se kush është në rrezik dhe për të mësuar se kur është e sigurt që të dilet prapë prej mbylljes.

Tashmë janë qindra studime që po kryhen anembanë botës se si demografitë, kushtet paraeksiztuese dhe gjenetika mund të kenë ndikuar në variacionin e gjerë të ndikimit.

Mjekët në Arabinë Saudite po studiojnë nëse ndryshimet gjenetike mund të ndihmojnë për të shpjeguar nivelet e ndryshme të ashpërsisë së sëmundjes COVID-19, të shkaktuar nga virusi korona, në mesin e arabëve sauditë, përderisa shkencëtarët në Brazil po merren me studimin e lidhjeve ndërmjet gjenetikës dhe komplikimeve të COVID-19. Ekipet në shumë shtete po studiojnë nëse ilaçet e tensionit të lartë mund të përkeqësojnë ashpërsinë e sëmundjes dhe nëse një vaksinë specifike kundër tuberkulozit mund të bëjë të kundërtën. Shumë shtete në zhvillim me klima të nxehta dhe me popullsi të re kanë shmangur më të keqen, duke sugjeruar se temperatura dhe demografitë mund të jenë faktorë të lidhur me këtë. Por shtete si Peruja, Indonezia dhe Brazili, vende tropikale me numër në ngritje rastesh, hedhin poshtë këtë pretendim.

Rezultate kundërthënëse

Masat drakonike të distancimit social dhe mbylljes së menjëhershme tashmë janë treguar efikase, por Birmania dhe Kamboxhia nuk kanë zbatuar asnjërën dhe kanë raportuar për pak raste.

Një teori që është e pavërtetuar pretendon se është e pashmangshme arritja e virusit: mbase virusi thjesht ende nuk ka mbërritur në ato shtete. Rusia dhe Turqia dukej se ishin mirë derisa papritmas u raportua për përkeqësim të gjendjes. Koha megjithatë mund të jetë faktor i rëndësishëm për të përfshirë të gjithë: Gripi spanjoll që shpërtheu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 1918 u duk se do të kalohej verës, por do të kthehej me pasoja edhe më vdekjeprurëse në vjeshtë, dhe me një valë të tretë vitin pasues. Madje arriti edhe në vende të largëta e të izoluara si në Alaskë dhe Paqësorin Jugor, dhe infektoi një të tretën e popullsisë së botës.

“Ne përnjëmend jemi në fazën fillestare të kësaj sëmundjeje”, ka deklaruar doktori Ashish Jha, drejtor i Institutit të Harvardit për Kërkime Shkencore të Shëndetit Botëror. Ai ka thënë se përhapja nuk varet nga shpejtësia, por nga shkalla e kontaktit të njerëzve. Ka marrë shembull rrathët e një ndeshjeje bejsbolli, ku lojtarët që mund të jenë larg turmës, do të preken më vonë.

Mjekët që studiojnë sëmundjet ngjitëse anembanë botës thonë se ende nuk kanë të dhëna të mjaftueshme për të krijuar një pasqyrë të plotë të sëmundjes epidemiologjike, dhe mungesa e të dhënave në disa vende mund të vështirësojë nxjerrjen e përfundimeve shkencore. Testimi është i kushtueshëm dhe i rrallë në shumë shtete, duke mjegulluar kështu të dhënat e vërteta të gjendjes në terren, dhe ka raste kur vdekjet e shkaktuara nga sëmundja nuk raportohen fare.

Megjithatë, ka disa vlerësime të përgjithshme të qarta. Madje edhe në shtete me sisteme të dobëta të mbajtjes së të dhënave dhe me sistem të dobët shëndetësie, vështirë se do të kalonin pa u vënë re vdekjet të lidhura me sëmundjen COVID-19.

Intervistat të zhvilluara me një mori ekspertësh të sëmundjeve ngjitëse, me zyrtarë të shëndetësisë, epidemiologë dhe studiues të fushës anembanë botës sugjerojnë se katër janë faktorët që mund të ndihmojnë për të shpjeguar ku virusi bën kërdinë, e ku kalon pa shkaktuar pasoja të mëdha: demografitë, kultura, mjedisi dhe shpejtësia e reagimit të qeverive.

Forca e rinisë

Secili shpjegim i mundshëm vjen me paralajmërimet e konsiderueshme dhe të kundërdëshmive. Nëse një popullsi e plakur është më e cenueshmja, ta zëmë, Japonia është dashur të ishte në krye të listës. Por është larg prej kreut. Për më tepër këta janë faktorët që ekspertët i marrin si bindës.

Shumë shtete që u janë shmangur pandemive masive kanë popullsi relativisht të reja. \ NYT

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.