SHËNDETËSIA

Virusi i rrenave

Fëmijët janë imunë ndaj koronavirusit; vaksina kundër koronavirusit është krijuar para se të përhapej sëmundja; rrjeti 5G ka shkaktuar koronavirusin; Trumpi pozitiv në testin e koronavirusit; apo dezinformata të tjera të ndërlidhura me këshilla shëndetësore, janë disa prej dezinformatave që ditëve të fundit i kanë rënë në sy Dren Gërgurit, ligjërues në Degën e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës.

“Për mendimin tim këto janë dezinformata që devijojnë lehtësisht realitetin, dhe në fakt kanë më shumë potencial për të mashtruar publikun”, thotë Gërguri, i cili ka fokus të veçantë studimi lajmet e paverifikuara nëpër media e platforma sociale. Ai ka vërejtur edhe dezinformata të mbushura me elemente konspiracioni, shkruan KOHA.

“‘Diçka e madhe është duke ndodhur në Itali dhe Ballkan, Ju nuk jeni në vetëdije’, që fliste për kinse një zbarkim të ushtrisë amerikane në Itali, në përgatitje të një ndryshimi gjeopolitik. Apo një tjetër dezinformatë me teori konspiracioni ishte ajo që ‘zbulonte’ se virusi ishte një armë biologjike e Kinës (shkrim i ‘Washington Times’, që pastaj ishte demaskuar nga ‘Washington Post’), më pas rusët akuzuan amerikanët se kanë prodhuar virusin për ta dëmtuar Kinën ekonomikisht”.

“Sigurisht për ta frikuar CORONAVIRUSIN me këtë armatim të rëndë”

Përhapja botërore e koronavirusit u ka fryrë flakëve të zjarrit të lajmeve të rreme dhe të teorive të konspiracionit.

“Zbulohet: Ja përse trupat amerikane po zbarkojnë ditëve të fundit në Gjermani dhe në vende të tjera evropiane”, ka qenë titulli bombastik në llogarinë e një portali në “Facebook”, që numëron më shumë se 150 mijë persona që e pëlqejnë ose e ndjekin.

Brenda 22 orësh, 72 prej tyre e kanë shpërndarë e 675 të tjerë e kanë pëlqyer. Të llojllojshme kanë qenë komentet poshtë vjegëzës së informatës që nuk ka asnjë burim që konfirmon lajmin.