Kosova

Virusi i pashpresës

Kuvendi i Kosovës: një ditë me njerëz që nxjerrin fjalë-teshtitjeje

1. 

Gaetano Salvemini u bë profesor i historisë në fillim të shekullit XX. Prej shkollës së mesme kaloi në Universitetin e Messinas. Kishte përmbushur një lloj cikli interesant jetësor nga një “këmishëkuq” në radhët e Giuseppe Garibaldit me pushkë në dorë e për bashkimin e Italisë; pra prej bërësit të historisë, ishte bërë ligjërues i saj. Dhe kur iu hap mundësia të bëhet profesor universiteti në Messina, në Sicili, u zhvendos me familje e kënaqësi.

Aty në Messina, më 1908 u dridh toka, njëri prej tërmeteve më të mëdha që mbahet mend. Ndërsa ishin duke u mbrojtur nën harqet e dyerve, para syve të tij u shemb ajo pjesë e shtëpisë nën të cilën ishin gruaja, pesë fëmijët dhe motra. Që të gjithë vdiqën para syve të tij. “Jam një njeri mizerabël, pa shtëpi a vatër, që ka parë njëmëbedhjetë vjet lumturi të shkatërruar për dy minuta”, shkroi më vonë.

U bë njëri prej historianëve më të njohur italianë në Amerikë, antifashistëve të spikatur, themelues i javores së famshme “L’Unita” dhe propozuesi kryesor i një rruge të mesme të së majtës, mes komunizmit dhe kristian-demokratëve. U bë i famshëm edhe me këtë thënie, me dozën e mjaftueshme ironike sa për t’u përsëritur për një shekull: “Gjatë Luftës së Parë Botërore kishim zakon të thoshim se gjendja në Gjermani është serioze, por jo e pashpresë, se në Austri është e pashpresë, por jo serioze dhe se në Itali është e pashpresë, por normale”.