OPINION

Virtyt

Shkruan: Salim MEMIShI
Të kishim,

Veç edhe pak virtyt në mendje ta mbillnim në zemër atë që e harruam para kohe. Ne u vërsulëm pas betonimeve duke harruar rrënjët në dhé, në baltë, në bereqet. Kur pashë bujkun e moçëm në shekullin e ri, mu duk film. Shihja ekspozitën e punës dhe thosha me mendje: ”të harruam, tokë”. Mbaj mend kur ne braktisëm fushat, ishte fillimi i rilindjes pas luftërave në vendet tona. Të shkosh në mal, në fushë, me dhen e lopë, doli nga moda e jetës sonë. Në fshat filluam të qytetërohemi duke u lutur në diell sepse shiu sjellte baltën në fyt dhe ëndrrat për qytet zhdukeshin në pabesi. Nga ajo periudhë, të udhëtosh nga Lugina në Iliridë, shihje tokat të lëna nën thonjëza. Barnishtet e pranverës që i korrte bujk i bekuar, sot i korrë acar i dimrit duke i mbuluar ashtu si i gjenë. Tjetër fjalor i natyrës tek flet me ne. Ne u rritëm bashkë me barnishtet dhe matnim trupin me drithërat kush me i gjatë e kush më i shkurtë. Ne u rritëm tok me ato dhe u ushqyem kur uria u bë prag i shtëpive tona në 1992/93. Atëherë kur flisnim me tokën sepse qielli nuk përgjigjej. Atehërë kur besonim më shumë në lutje se në gjumë. Atëherë kur kishim më pak dhe jetonim më shumë.

Sot, betonizmi dhe dashuria artificiale për vendin tonë, ka zënë vendin e gjithçkasë të natyrshme, ndërsa rrënja ku ne fituam bukën tonë jeton vetëm në fotografitë që ruhen prapa perdeve njënjgyrëshe.

Nexhmedini, mos qoftë i vetmi, më ktheu dy dekada prapa në kohë. Më ktheu në gjumin e pasditës midis grurit të korrur, në handrak se nuk ishte vetëm pluhur që shkëlqente në fytyrë, më ktheu nën hijet kur toka buronte llavë, në livadhet kur mallkonin mitilin si kancer…në çdo gjë më ktheu në më të mirë se e sotmja. Hidhërimin e tokës njerëzit nuk e lexojnë, prandaj ndoshta nuk e kuptojmë krizën e heshtur përreth vendeve tona. Ne u zhbëmë duke iu falur ikjeve në secilën rrugë që përshtatej më së miri, ne ikëm dhe vazhdojmë të ikim nga e njejta bukë pas së cilës vraponim. Ne harruam dhe veten duke ëndërruar për të tjerët. Pse për të tjerët? Sepse për syrin e të tjerëve në jetojmë e veprojmë. Për syrin e të tjerëve ne vishemi me kostumet që lëkurë e jona nuk i njeh. Ne për syrin e të tjerëve ekspozohemi nëpër qytetet që kurrë fshatrave të mirën nuk i dinë. Ne nuk i ikim bujqësisë për arsye tjetër pos inatit që bartim si kripë në lëkurë. Neve na ha diçka.

Brenda nesh më shumë zë vend mendimi i të tjerëve se sa brenga jonë reale. Ne për t’u treguar zotët e zotësisë, të gjithë konfesionin e punës e shkrijmë në këmishë të bardhë. Në duam të vishëmi të hekurosur por nuk duam të hekurosim; në fund, ne duam të thirremi si njerëz të punës por pushimin e kemi kusheri të parë. Ne duam të punojmë për dritë të syve aty ku sy i të tjerëve dirigjon.

Paçim njerëz që mbajnë tokën gjallë para se ne të hyjmë të vdekur në të.

Krenaria e punimit të tokës është kulm i shtëpisë së punëtorëve dhe e nesërmja është më se e mirëseardhur.

Të mirat e punimit të tokës? Nuk jemi në mëdyshje për shtojcat kimike në produkte; nuk bëhemi më të mençur se tjetri, ku duhet dhe ku nuk duhet të blejmë; më mirë i njohim farërat që i mbjellim sesa barërat në barnatore; turpi për të punuar tokën qoftë mbi ne të cilët e lamë atë.

Zoti i bekoftë drithërat dhe çdo virtyt tjetër të punuar nga mundi dashamirëve të punës.

Burimi: Nexhmedin Xhaviti, fshati Llopat, Kumanovë.

Punëtor i palodhshëm dhe një nga të rrallët të cilët vazhdojnë ta shfrytëzojnë virtytin e tokës.

Me përgjegjësi,

𝕍𝕀ℝ𝕋𝕐𝕋Të kishim,Veç edhe pak virtyt në mendje ta mbillnim në zemër atë që e harruam para kohe. Ne u…

Posted by Salim Memishi on E Diele, 21 Shkurt 2021