Viola von Cramon adreson kritika ndaj qeverisë së Kosovës

Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën Viola von Cramon, ka deklaruar se Qeverisë së Kosovës i mungon vullneti politik për përparim në integrimet evropiane. Sipas saj, Qeveria Kosovës ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në BE, por hapat e nevojshëm për përparim në këto aplikime nuk janë bërë.

“Kosova dëshiron të bëhen anëtarë të NATO-s, BE-së dhe Këshillit të Evropës, por nëse dikush i njeh rregullat e klubit, duhet të luajë me ato rregulla në vend që t’i shkelë ato”, ka theksuar ajo për Agjencinë Bullgare të lajmeve BTA.

Von Cramon vazhdoi duke thënë se Qeveria e Kosovës aktualisht nuk po ua lehtëson aspak jetën qytetarëve; po dërgon sinjale shumë të përziera. Partnerët ndërkombëtarë janë të lodhur nga mosveprimi i Prishtinës, dhe kjo çoi në futjen e masave ndëshkuese nga BE-ja vitin e kaluar.

Von Cramon ka theksuar për t’u anëtarësuar në BE, Kosova duhet të njihet si një vend i pavarur nga shtetet anëtare. Pesë prej tyre nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Raportuesja e PE-së, ka thënë se të gjithë pajtohen se është i nevojshëm përfundimi i suksesshëm i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë- Serbi.

“Do të ishte shumë më e lehtë për të gjithë nëse Kosova do të thoshte se i ka përmbushur të gjitha kërkesat dhe i plotëson të gjitha kriteret. Atëherë BE-ja dhe partnerët ndërkombëtarë do të ushtrojnë presion të madh ndaj Serbisë për të përmbushur pjesën e saj. Megjithatë, Kosova nuk po e bën këtë, gjë që e bën jashtëzakonisht të lehtë për presidentin serb Aleksandër Vuçiq të thotë se nuk ka kuptim që ai të investojë kapital politik nëse nuk ka interes për përparim nga ana e Kosovës”, ka theksuar ajo.

Cramon ka komentuar edhe vendimin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës që transaksionet me para të gatshme duhet të jenë në euro që nga 1 shkurti.

Ky vendim ka rritur shqetësimin e komunitetit lokal serb pasi ata i marrin pagat dhe pensionet në dinarë serb dhe i përdorin për pagesa në Kosova.

Komuniteti ndërkombëtar bëri thirrje për një periudhë tranzicioni ku mund të përdoren të dyja monedhat, por Prishtina tani për tani është kundër këtij opsioni, raporton BTA.

Duke komentuar  këtë çështje, Viola von Cramon ka theksuar se Kosova si shtet sovran ka të drejtë të vendosë se cilën valutë do të përdorë, por mënyra se si u përpoq ta zbatonte atë vendim është problematike.

“Ata nuk informuan personat që do të prekeshin për vendimin; ata nuk qarkulluan informacion në serbisht për vendimin dhe nuk u bënë konsultime. E gjithë kjo ishte kundër interesave të njerëzve të rregullt. Të gjithë në BE dhe Uashington po pyesin pse po e bëjnë këtë, por, në fund të fundit, ata synojnë njerëzit e rregullt nga pakica serbe, vazhdoi ajo. Kur Kosova shpalli pavarësinë, ishte e qartë se bëhej fjalë për një shtet dhe shoqëri multietnike dhe nevojiten mekanizma për ta mbrojtur atë shoqëri multietnike. Megjithatë, partisë në pushtet dhe mbështetësve të saj tani nuk i intereson kjo”, ka theksuar ajo.

Sipas raportueses së PE-së, Kosova është plotësisht e mundur që të anëtarësohet në BE, por ajo shpreson të shohë një qeveri që punon në interes të njerëzve në vend për ta arritur këtë qëllim.  “Realiteti aktual është ndryshe dhe mjaft zhgënjyes”, ka thënë ajo.

Cramon ka thënë për BTA se asnjë nga mekanizmat e BE-së për trajtimin e krizave të tilla nuk ka qenë mjaft efektiv deri më tani dhe vendosja e masave kufizuese që prekin drejtpërdrejt qytetarët e vendit do të ishte e padrejtë.

Go to TOP