Kombëtare

Video/ Në Vlorë krerët e shtetit, jo grumbullime qytetarësh

Shqipëria kujton sot 108-vjetorin e Pavarësisë.

Ndryshe nga kremtimet e viteve të shkuara, kur Sheshi i Flamurit në Vlorë mbushej me njerëz e atmosferë festive, ky 108-vjetor në pandemi gjeti në këtë shesh vetëm krerët më të lartë të vendit. Autoritetet në Vlorë bënë thirrje që qytetarët të shmangnin grumbullimet sot.

Vendosjen  e kurorave me lule e priu presidenti Ilir Meta. Për kryeministrin Edi Rama, motoja e këtij 108-vjetori është “Liria ka emër”, kjo në shenjë solidariteti për lirinë e Kosovës dhe çmimin që po paguajnë në Hagë ish-udhëheqësit e UÇK-së.

108 vite më parë, më 28 nëntor 1912, nën udhëheqjen e Ismail Qemalit në qytetin e Vlorës u nënshkrua Deklarata e Pavarësisë nga Perandoria Osmane, që shënon edhe gur-themelin e  shtetit modern shqiptar. Në shpalljen e pavarësisë morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare.

Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, Asambleja e Vlorës formoi qeverinë e parë shqiptare të pavarur, nën drejtimin e Ismail Qemalit.