KULTURË

Video/ Lahaj sjell ripërpunimin e veprës “Për ty Atdhe”

Tenori me renome botërore, Ramë Lahaj, ka publikuar ripërpunimin e veprës “Për ty Atdhe”, më 28 Nëntor, në përvjetorin e 108-të të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.

Me një videokolip të veçantë, Lahaj ka thënë se është munduar të kthejë vëmendjen se “shpesheherë harrojmë që ky vend është më i bukuri e më i bekuari në botë, me bukuritë natyrore që ka, me kulturë e traditë unike”.

“T’u e pasë parasysh situatën me COVID-19, dhe atë ekonomike të ndikuar nga ajo por edhe politike, çështjen e Hagës po ashtu, e shumë të tjera, këtë kohë derisa qëndrova për ta realizuar projektin mes Shqipërisë e Kosovës, arrita ta shoh një tjetër realitet që më goditi shumë, atë të IMIGRIMIT, ose dëshira e madhe për të imigruar, i madh e i vogël! Me krizë e situata të vështira, ne shqiptarët jemi rritur brez pas brezi ose më mirë thënë, hallet tona nuk u ndalen asnjëherë. E ndjeva për detyrë, si Ambasador i Kulturës, në botë, që ta sjell ripërpunimin e kryeveprës ‘Për ty Atdhe’ të mjeshtrit të madh, Pjetër Gaci të shoqëruar me një video qe tregon shqiptarin e mirë. Atë që pas çdo suksesi rrugën e parë që merr është ajo për në Atdhe”, ka shkruar në Facebook Lahaj.