INTERVISTA

VIDEO/ Demaj: Nuk duhet lejuar deformimi i këngës popullore

Gzim Demaj një këngëtar i njohur, nga Komuna e Vitisë, karrierën e tij e filloi me “Zërin e Karadakut”. Si fëmijë nëntë vjeçar ai filloi të luajë instrumente të ndryshme si çifteli, fyell mandej edhe fis harmonikë. Ai në moshën 18 vjeçare formoi grupin “Avi Fortuna” me tastierë, ku performoi në mijëra mbrëmje, koncerte dhe festivale.

Demaj në një intervistë për kosova.info, ka shprehur vështirësitë e rrugëtimit të tij për ruajtjen e muzikës të mirëfiltë shqiptare në kohë të vështira lufte. Ai në rrëfimin e tij thekson se edhe përkundër vështirësive dhe kohëve të vështira të luftës ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme për ruajtjen e muzikës dhe kultivimin e saj ndër breza.

Kush është Gzim Demaj dhe si lindi ideja për muzikë?

Me muzikë jam marrë herët, kam filluar qysh si fëmijë, ishin kushtet jo të mira dhe të papërshtatshme, por aktivitetet e tilla kemi pas mundësi t’i zhvillojmë vetëm në ambiente shkollore dhe më kujtohet se hera e parë ku e testova veten me këngë në shkollë këndova këngën “Qengji i vogël”, pastaj kam filluar si instrumentist, dhe si këngëtar. Por ju përkushtova më shumë instrumenteve, që nga klasa e pestë, si me fyell, çifteli dhe më vonë fis harmonike në SHKA Zëri i Karadakut, ku në atë kohë udhëhiqej nga jashtë Kosovës, duke marrë edhe shumë shpërblime dhe duke dalë shpesh edhe fitues të festivaleve, ndërsa unë u motivova nga gjyshi dhe gjyshja, të cilët më dhanë një përkrahje morale dhe më motivuan që unë të vazhdoj të merren me muzikë.

Sa ishte e vështirë të merreshit me muzikë në kohe lufte?

Në kohën në të cilën unë fillova të merresha me muzikë ishte kohë e trazirave, protesta, përjashtime nga puna dhe shumë gjëra të cilat të pengonin që ti të merreshe me muzikë, nuk kishim zemër të bënim muzikë as të këndonim, sepse çdo ditë ishim të frikësuar dhe të trishtuar nga ato që përjetonim. Protesta, helmime, rrahje, burgosje e shumë gjëra të cilat na bënin të rrimë larg nga muzika ose shumë rrallë të merreshim me të. Arsye ishin rrethanat në të cilat po kalonte vendi. Më vonë po thuajse kjo situatë u bë demode dhe filluam të adaptoheshim me ato kushte të vështira dhe kushte të cilat na kishin bllokuar dhe kufizuar në të gjitha anët, por prapë se prapë ne nuk ndaleshim asnjëherë, vazhduam të bënim muzikë nëpër koncerte brenda ashtu dhe jashtë vendit, manifestime të ndryshme kulturore edhe nëpër dasma.

Si bëhej muzika në atë kohë?

 Citet e 90-99 ishin shumë të vështira siç e ceka edhe më herët, por ishte më e rëndë kur Kosova po kalonte kohë shumë të vështira dhe po vdisnin njerëzit dhe po vriteshin çdo ditë, e po zhdukeshin, ne vazhdonim me muzikë, jo për të bërë qejf ose për tu argëtuar, por për të ndihmuar popullin tonë i cili ishte në kushte shumë të vështira dhe dita e ditës pritej të behej edhe më e ashpër lufta. Ka pas me javë e muaj të tërë duke bërë koncerte nëpër Evropë e deri në Amerikë, duke mbledhur para dhe gjitha duke i dërguar për ndihma në Kosovë. Ishte vështirë kur njerëzit ishin rrethuar dhe rrezikuar, gjendje lufte, të gjithë kishim familjarë në Kosovë, ndërsa ne bënim muzikë dhe organizonim koncerte humanitare.

Ke pasur ëndrra tjera përveç muzikës?

 Nuk kam menduar asnjëherë që të merresha me muzikë, çdo herë e ëndërroja të bëhesha mjek ose arkitekt, dhe të them të drejtën jo çdo herë bëhesh atë që ke dëshirë dhe ta donë zemra, por mundësitë për tu bërë mjek ose arkitekt në atë kohë ishin tejet të vështira, sepse ishin mbyllur të gjitha universitetet dhe shkollat, gjendja ekonomike ishte e vështirë dhe ëndrrat tona dhe dëshirat për tu bërë mjek ose arkitekt mbetën në gjysmë.

Çfarë projekte keni realizuar së fundmi?

Unë deri më tani kam realizuar 6 këngë dhe dy albume live, në albume kemi këngë të zhanreve të ndryshme por duke e ruajtur këngën shqipe dhe me vlerë, ndërsa realizimi i këngës së fundit, “Dashuria e vjetër”, është pritë jashtëzakonisht mirë, duke shpresuar që ju ka pëlqyer edhe juve. Kemi projekte të reja të cilat do të realizohen në pranverën e vitit të ardhshëm dhe do të shoqërohen edhe me videoklipe por këto ditë pritet të dalë edhe një album live.

Si e cilësoni muzikën që po bëhet sot në tregun shqiptar?

Muzika është ushqim i shpirtit, por muzika sot është bërë një biznes duke mos respektuar vlerat dhe kulturën muzikore, ajo sot po shikohet nuk po dëgjohet, një kohë ishte shund dhe tallava, tani nuk dëgjohen pothuajse fare. Janë po thuajse këngë zhanre të konsumuara dhe të hargjuara, apo jetëshkurtër, ndërsa ajo burimore shqiptare, kënga popullore është e pavdekshme. Unë shpresoj se vlerat e mirëfillta të këngës popullore do të ruhen në çdo kohë dhe këtë do ta bëjnë yjet e muzikës popullore, ata që kanë traditë popullore dhe ne që jemi rritur me atë. Nuk duhet lejuar deformimi i këngës popullore.