Kosova

Vettingu duhet të bëhet, por procesi duhet të jetë i besueshëm dhe i pavarur

Ditë më parë është publikuar Raporti i Bashkimit Evropian për Kosovën, ndërsa një pjesë i kushtohet edhe procesit të Vettingut.

Në raport, Bashkimi Evropian është skeptik sa i përket procesit të Vettingut në Kosovë, ndërsa shkruan se Qeveria e re është duke konsideruar disa opsione për procesin e ‘vettingut” dhe sipas raportit ndërmarrja e një ri-vlerësimi të të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve është brengosëse.

E lidhur me këtë, në një prononcim për Telegrafin ka folur drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj.

Mifaraj thotë se raporti ri thekson faktet se sistemi drejtësisë në Kosovë është jo efikas, jo profesional, me mungesë integriteti, subjekt i ndikimeve dhe ndërhyrjeve politike, me mungesë ë të theksuar të rezultateve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Edhe këtë vit ky raport thekson mungesën e integritetit të Këshillit Prokurorial dhe atij Gjyqësor.

“Raporti i Progresit për Kosovën për vitin 2021, është ndër raportet me vlerësimin më negativ që ka bërë lidhur me sistemin e drejtësisë në pesë vitet e fundit.  Të vetëm pjesë pozitive që ky raport e identifikon për vitin 2021, është miratimi i Strategjisë për Sundimin e Ligjit dhe progresi në luftimin e terrorizmit”, tha ai.

Ai më tej, duke folur për procesin e Vettingut thotë se IKD ka qenë pjesë e grupit punues lidhur me hartimin e koncept dokumentit për Vettingun.

“Si pjesë e grupit punues por edhe mbi bazën e takimeve të rregullta që IKD ka me partnerët ndërkombëtarë, na është bërë e ditur se nga fillimi i këtij procesi se Ministria e Drejtësisë nuk ka qenë në gjendje të bind partnerët ndërkombëtarë se kjo qeveri ka kapacitete dhe ekspertizë për të zhvilluar një proces të tillë. Procesi i Vettingut duhet të përcjellët me besueshmëri, vet ky proces duhet të ketë integritet të pakontestueshëm në të gjitha fazat e tij, e që ne besojmë se i ka munguar kryesisht për shkak të mos menaxhimit të duhur deri në këtë fazë”, tha ai.

Miftaraj më tej thekson se IKD gjatë këtyre muajve ka qenë e shqetësuar lidhur me ndryshimin e qëndrimeve të kësaj qeverie lidhur me këtë proces. “Polarizimi i skajshëm Qeveri-KGJK dhe KPK, akuzat dhe kundër akuzat publike, po ashtu ndikojnë tek humbja e besimit lidhur me një proces të pavarur, paanshëm dhe të drejtë të Vettingut”.

Megjithatë sipas drejtorit të IKD-s Vettingu nuk ka alternativë. “Vettingu nuk ka alternativë dhe mbetet tek qeveria se sa do të jetë në gjendje të komunikojë me të gjitha palët e interesit dhe të bindë të njëjtit lidhur me rëndësinë e këtij procesi”.

Ndryshe, pas publikimit të raportit të BE-së për Kosovën, kishte reaguar në Twitter edhe njohësi i fushës së integrimeve, Demush Shasha.

Ai kishte thënë “Lajmi i parë i rëndësishëm nga Raporti i BE-së për Kosovën është se prej sot BE-ja dhe Kosova edhe zyrtarisht qëndrojnë në pozicione të kundërta sa i përket Vettingut.

“Nga raporti: ‘Qeveria e re është duke konsideruar disa opsione për procesin e ‘Vetingut’ të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Në këtë drejtim, ndërmarrja e në ri-vlerësimi të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve është brengosëse”, kishte shkruar Shasha.

Por lidhur me raportin e BE-së për Kosovën për çështjen e Vettingut është deklaruar edhe ministrja e  Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ajo më tej ka sqaruar se vettingu nuk do të jetë i njëhershëm ashtu siç është prezantuar në raport dhe se ka mungesë të informacioneve.

“E para vettingu s’do të jetë i njëhershëm. Këtu thuhet se do të jetë i njëhershëm çka nënkupton se një herë do të vlerësohen gjyqtarët dhe prokurorët dhe pastaj çka ndodh me ta asgjë askujt. Kjo nuk do të ndodh për faktin se ne planifikojmë vetting të njëhershëm dhe të vazhdueshëm dhe të përhershëm”, shtoi ajo.

“Ne ia kemi thënë këto shqetësime ambasadorit të BE-së në Kosovë edhe me zyrtarë të lartë të BE-së që kemi pasur takime të përbashkëta dhe ata natyrisht që kanë rezerva për vettingun”, ishte shprehur Haxhiu.

Shfaq më shumë
//dopansearor.com/4/3473483