Kombëtare

Vetingu, Komisioneri Publik tërheq ankimimin për Alma Kolgjokën, prokurori i Apelit në Durrës del para KPK

Komisioneri Publik është tërhequr nga ankimimi kundër gjyqtares së Krujës, Alma Kolgjoka. Provat, kryesisht fatura të ujit e të dritave për një apartament të babait, qartësuan Komisionerin Publik mbi pasurinë e gjyqtares Alma Kolgjoka dhe ai i kërkoi Kolegjit që ta konfirmonte në detyrë subjektin e rivlerësimit. “Është fundi i makthit”, iu drejtua vëzhguesi ndërkombëtar Theo Jacobs kryetares së Gjykatës së Krujës Alma Kolgjoka, që u paraqit dje në seancën e radhës në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Sa i takon seancës së djeshme, ajo ishte e shkurtër, në nisje të saj Luan Daci, kreu i trupës që po gjykon ankimin e Komisionerit Publik ndaj gjyqtares Kolgjoka, lexoi me detaje provat e mbledhura. Pasi palët bënë me dije se nuk kishin kundërshtime për provat e paraqitura nga Daci, dhe i pranuan ato, trupa u tërhoq për pushim. Komisioneri Publik Dariel Sina tha se provat e sjella sëfundmi nga disa kompani publike dhe private ishin të mjaftueshme dhe se provohej që Kolgjoka kishte bërë deklarim të saktë të pasurisë për të cilën ishte ankuar dhe se prindërit nuk ishin persona të lidhur.

Përndryshe Sina kërkoi që vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që kishte konfirmuar gjyqtaren duhej të qëndronte në fuqi. “Kërkoj konfirmimin në detyrë të zonjës Alma Kolgjoka”, tha Sina. Ndërkohë gjyqtarja Kolgjoka, është shprehur se ankimimi ndaj saj kishte rënë dhe shtoi vetëm se provat e reja kishin dëshmuar katërcipërisht se ajo dhe babai nuk kishin lidhje interesi pasuror, duke kërkuar konfirmimin detyrë. Menjëherë pas kësaj trupa njoftoi se vendimi do të jepej më 25 qershor, por vendimmarrja nuk duket e vështirë. Vetë provat që KPA dhe Komisioneri Publik kishin kërkuar konfirmuan pretendimet e Kolgjokës. Qoftë Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE, qoftë Ujësjellës Kanalizime Tiranë, UKT dhe dy kompani private dhe noterja, konfirmuan në përgjigjet e tyre se Kolgjoka, nuk kishte lidhje me pasurinë në shqyrtim, një apartament 141 metra katrorë dhe blerja e tij ishte bërë siç ishte deklaruar prej babait të gjyqtares.

Prokurori i Apelit në Durrës del para KPK

Ndërkohë Prokurori i Apelit të Durrësit, Moisi Duda mungoi të premten në seancën dëgjimore të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ku u përfaqësua nga avokati Koçi Mato. Procesi i vetingut për të është mbyllur vetëm mbi kriterin e pasurisë. Trupa gjyqësore drejtohej nga Olsi Komici, me relatore Xhensila Pine dhe anëtare Brunilda Bekteshi. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte e pranishme Mia Roessingh. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit evidentoi probleme me blerjen e një apartamenti në Lushnje si dhe balanca negative për disa vite. Për një apartament me sipërfaqe 108.5 m2 në Lushnjë, i blerë në vitin 2014 në vlerën e 4.1 milionë lekëve, relatorja Pine tha se nuk është provuar me dokumentacion ligjor pagesa e të gjithë çmimit. Sipas KPK, Duda ka provuar vetëm pagesën e shumës 11 mijë euro. Avokati Mato sqaroi në seancë se prokurori Duda kishte lidhur kontratë vetëm me njërin prej dy sipërmarrësve që ndërtuan katin shtesë, pasi këta të fundit ishin ortakë. Mato shtoi se subjekti ia ka dhënë vlerën e apartamentit një prej sipërmarrësve, i cili më pas e ka kaluar në llogari të kompanisë ndërtuese. KPK konkludoi se Duda ka pasur mundësi financiare për krijimin e gjendjes cash në vlerën 3.2 milionë lekë gjatë periudhës 2011-2013, që e ka deklaruar si një prej burimeve për blerjen e apartamentit. Sipas Komisionit, prokurori Duda nuk ka vërtetuar pjesëtimin e pasurisë në fshat me vëllanë e tij.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.