Kombëtare

Vetëvendosje thotë se janë sulmuar fizikisht pesë aktivistë të saj në Prizren

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se të premten pasdite pesë aktivistë të kësaj organizate janë sulmuar fizikisht në Prizren.

Sipas VV-së sulmi ndaj aktivistëve ka ndodhur gjatë kohës kur po ekzekutohej prej institucioneve urdhri për rrënim të ndërtimit të paligjshëm që është pjesë e kompleksit “ABI Çarshia”.

Njoftimi i Lëvizjes Vetëvendosje:

Ndërtimet pa leje do të ndalen, aktivistët jo!

Pasditen e së premtes, 19 korrik 2019, rreth orës 16:30, në Prizren janë sulmuar dhunshëm fizikisht aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Rinor Kadriqeli, Rigon Kadriqeli, Muhamet Kadriqeli, Hysen Pllava dhe Mimoza Bushrani.

Ky sulm ndaj aktivistëve ka ndodhur gjatë kohës kur po ekzekutohej prej institucioneve urdhri për rrënim të ndërtimit të paligjshëm që është pjesë e kompleksit “ABI Çarshia”.

Sulmi është bërë nga turma që ndodhej aty me urdhër të drejtuesve të Abi Çarshisë, më konkretisht nga personi i quajtur Erman Fusha. Si rezultat i këtij sulmi, aktivistët janë lënduar rëndë dhe kanë përfunduar në trajtim mjekësor në Spitalin Regjional të Prizrenit. Poashtu, gjatë këtij sulmi janë lënduar edhe tre policë të Kosovës.

Ky sulm ka patur si synim kërcënimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! e cila është e palëkundur në luftën e saj kundër ndërtimeve të paligjshme. Komuna e Prizrenit dhe të gjitha drejtoritë përkatëse, do t’i ndalin ndërtimet e paligjshme në Prizren, dhe kjo nuk ka asnjë diskutim. Ata njerëz që mendojnë se mund të ndërtojnë kudo, pa leje e pa kontroll, sepse kanë miq në qeveri, le ta dinë që në Prizren nuk munden. Dhe së shpejti nuk do të munden as në vendet e tjera, pasi edhe qeverinë do ta marrë Lëvizja VETËVENDOSJE!

Ata që sulmojnë aktivistët, le ta dinë, as nuk ua kemi frikën, as nuk ndalemi kurrë përballë padrejtësive!