EKONOMI

Vetëvendosje ka dy kërkesa për Telekomin e një për ARKEP-in pas mosvazhdimit të kontratës me Z-Mobile

Për Lëvizjen Vetëvendosje, njoftimi i sotshëm i Bordit të Telekomit të Kosovës se Kontrata me Dardafone.net, ish Z-mobile, nuk do të vazhdohet më tej është padyshim një njoftim i pritur prej kohësh.

“Në këto momente përveç përgëzimeve për punëtorët e Telekomit të Kosovës dhe sindikatën për organizimin e tyre, na duhet t’i bëjmë thirrje publike Bordit të Telekomit, përfshirë dhe Kryeshefin Ekzekutiv se: Është urgjente të dërgohet lënda e plotë në Prokurori e edhe në Gjykata me qëllim njohjen e dëmit të shkaktuar dhe dëmshpërblimint e Telekomit të Kosovës nga Dardafone. net (ish Z-mobile), si dhe të marrë masat e plota nëpërmjet zyrës së tyre ligjore për ndalimin e ekzekutimit të vendimit të padrejtë të arbitrazhit”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.

Më tutje, Vetëvendosje i bën thirrje Autoritetit Rregullativ (ARKEP) që sa më parë të ndërmarrë veprimet që 300 mijë numrat në përdorim të Z-mobile sa më parë t’i kalojnë efektivisht Valës, ashtu edhe siç i takojnë.

“Çdo ditë e zvarritjes së këtij procesi është vazhdim i dëmtimit të Telekomit”, thuhet në reagimin e VV-së.

“Çdo kërkesë e kompanisë Dardafone.net, për veprime apo kërkesa në fushën e telekomunikimeve të mos merret në konsideratë nga ARKEP për sa kohë që një seri lëndësh, raportesh, hetimesh janë duke u zhvilluar prej krimeve ekonomike deri tek Komisioni hetimor parlamentar në Kuvend. Bordi i Telekomit dhe ARKEP janë përgjegjës që periudha e tranzicionit për numrat e ish Z-mobile të mos jenë në asnjë formë vegëz për çfarëdolloj keqpërdorimi të ri nga Dardafone.net”, thotë VV-ja, që shton se “çdo shtyrje apo keqpërdorim në disfavor të Telekomit të Kosovës lidhur me këto numra që i takojnë kësaj ndërmarrje i bën përgjegjës këta zyrtarë aktualisht në detyrë”.

Në fund, Lëvizja Vetëvendosje thotë se “po e monitoron situatën në vijimësi dhe nuk do të ndalet derisa Telekomit t’i kthehet dëmi i shkaktuar nga Dardafone.net”.

“Sot u arrit një fitore e madhe falë këmbënguljes së punëtorëve e qytetarëve në përgjithësi. Por ajo do të jetë e plotë kur Telekomit t’i kthehen fondet e tjetërsuara, prej ekzistencës së kësaj kontrate deri në ditën e sotme. Ne do të jemi këtu për t’u siguruar që kjo të ndodhë”, thuhet në fund të reagimit të kësaj partie.