Kosova

Vetëvendosje i ka votat – thonë njohësit e zhvillimeve politike, përndryshe sipas tyre, nuk do ta ndërmerrte fare iniciativën

Njohësit e zhvillimeve politike thonë se Lëvizja Vetëvendosje nuk do të inicionte mocion mosbesimi nëse të njëjtit nuk do të kishin votat e nevojshme në Kuvend për rrëzimin e qeverisë.

Por sipas tyre bashkëpunimi LVV-PDK do të jetë mjaft i vështirë dhe opsioni i zgjedhjeve të reja në muajin tetor është i mundshëm.

 “E para unë mendoj se inicimi i një mocioni të tillë mosbesimi pa siguruar paraprakisht numrat në kuvend për shkarkimin e qeverisë nuk do të ndodhte pasi që ai do të ishte një mocion koti dhe njëkohësisht qeverisë aktuale do t’i jepte një komoditet që edhe për gjashtë muaj të vazhdojë qeverisjen pasi nuk ka mundësi kushtetuese për inicimin e një mocioni tjetër. Gjasat janë që ndoshta Vetëvendosje i ka siguruar votat për rrëzimin e qeverisë më inicimin e këtij mocioni”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Arton Demhasaj.

Ndonëse Vetëvendosje po shpreson në votat e PDK-së për rrëzimin e qeverisë një bashkëpunim mes këtyre partive po shihet i pamundur, përcjell Telegrafi.

“PDK-ja mbështet LDK-në dhe partitë tjera të koalicionit. PDK-ja nuk e mbështet Vetëvendosjen dhe nuk ka interes për zgjedhje edhe për shkak të krizës së lidershipit”, deklaroi për RTV dukagjinin Armend Muja.

Kështu që dy muajt në vijim po shihen se mund të sjellin zgjedhje të reja atëherë edhe kur priten të konfirmohen aktakuzat ndaj Thaçit e Veselit.

“Shtatori dhe tetorin i shoh muaj shumë të nxehtë politik në Kosovë. Këtë e them për shkak se kjo qeveri e ka të vështirë ta ruaj stabilitetin politik pasi nuk ka vota të mjaftueshme në kohën kur ka pandemi dhe sfida politike të rënda. Në mungesë të një marrëveshje të madhe politike zgjedhjet janë shumë reale në tetor. Në fund të tetorit ne e dimë nëse shkojmë në zgjedhje apo jo”, shtoi më tej Muja.

Sipas rregullores së Kuvendit mocioni i mosbesimit pranohet kur për të voton shumica e thjeshtë në Kuvendin e Kosovës./Telegrafi/

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483