Kombëtare

Vetëvendosje: Çfarëdo ndërtimi në Liqenin e Badocit është kundër qytetarëve të Prishtinës

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar lidhur me planifikimin e ndërtimit të lagjes në afërsi të Liqenit të Badocit.

Përmes një statusi në Facebook, Vetëvendosje thotë se çfarëdo ndërtimi në Liqenin e Badocit është kundër qytetarëve të Prishtinës, është në dëm të ujit dhe në dëm të natyrës, që sipas tyre, po shkatërrohet përditë.

Ata thonë se MMPH dhe Komuna e Prishtinës duhet urgjentisht të ndalojnë të gjitha procedurat që do të lejonin ndërtimin e çfarëdo kompleksi ndërtimor në bregun e Liqenit të Badocit.

“Lëvizja Vetëvendosje qëndron fuqishëm në krah të mijëra qytetarëve që janë për mbrojtjen Liqenit të Badovcit. Ne përkrahim iniciativën që po rritet përditë, dhe ftojmë të gjitha organizatat e shoqërisë civile, qytetarët dhe organizatat tjera që të reagojnë për këtë çështje me rëndës”, thuhet në njoftim.

VV thotë se Liqeni i Badovcit është në afërsi të Parkut Gërmia dhe me rekomandim edhe nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës është propozuar të mbrohen bashkërisht si një tërësi e vetme.

Sipas tyre, edhe vetë Plani Zhvillimor Komunal e dëshmon këtë:

“Me qëllim të ruajtjes dhe shfrytëzimit të qëndrueshëm të vlerave të natyrës dhe biodiversitetit në masivin e Gërmisë dhe më gjerë, Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës propozon zgjerimin e sipërfaqes së Parkut të Gërmisë duke përfshirë gjithë masivin e Gërmisë dhe Liqenin e Badovcit, ndërrimin e kategorisë së zonës së mbrojtur nga Park Regjional, e cila si e tillë nuk ekziston në Ligjin për Mbrojtjen e Natyrës, në Park të Natyrës dhe hartimin e Planit Hapësinor dhe Planin e Menagjimit për Parkun e Gërmisë,” thuhet në Planin Zhvillimor Komunal të Prishtinës 2012-2022”, thuhet në planin zhvillimor komunal.

Ndërkohë që, sipas tyre, në të njëjtin dokument përmendet që kjo zonë është në mbrojtje qysh nga viti 1966.

“Shkatërrimi i resurseve ujore nëse tolerohen projekte të tilla do të jetë fatal për shtetin tonë. E megjithatë, lëvizjet në rritje të qytetarëve për mbrojtje të lumenjve dhe liqeneve janë dëshmi e vetëdijesimit karshi gjendjes së keqe në të cilën janë katandisur resurset tona natyrore. Nuk do të tolerohen projekte të dëmshme që cenojnë liqenet tona, nuk do të lejojmë projektet e dëmshme që cenojnë lumenjtë tanë, nuk do të lejojmë projektet e dëmshme që e cenojnë ajrin tonë, e gjithsesi nuk do të lejojmë projektet e dëmshme që e cenojnë natyrën që është thelbësore për jetën tonë”, thuhet tutje në njoftimin e tyre.

Ata thonë se nuk kanë marrë informacione se Komuna ka pranuar t’i aprovoj ‘Kushtet Ndërtimore’ dhe investitorët në përputhje me këto kushte kanë realizuar projektin.

Në lidhje me këtë Grupi i Asamblistëve të Lëvizjes ka drejtuar edhe kërkesën zyrtare për qasje në këto dokumente por deri më tani nuk ka marrë përgjigje.

“Ftojmë Komunën e Prishtinës dhe Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor që të ndalojnë sa më parë këto projekte, dhe jo të fshihen duke e fajësuar njëra-tjetrën. Ne e dimë që një projekt i tillë nuk mund të zhvillohet pa aprovimin e të dy këtyre institucioneve, andaj edhe kërkojmë nga të dyja këto që në respektim të ligjit, në respektim të vullnetit qytetar të ndalojnë sa më parë zhvillimin e këtij projekti në Liqenin e Badovcit”, thuhet tutje në njoftim.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.