OPINION

Vetëm koalicioni parazgjedhor LDK VV, e shpëton Kosovën

Shkruan: Fadil MALOKU
1. Si do të reflektoi zgjedhja e Isa Mustafës në krye të LDK-së; S’pari u bë mirë që zgjedhjet në subjektin më të vjetër politik, në Kosovë shkuan pa trauma e për të thënë edhe pa ndonjë ekces të theksuar (shkaku se pati indice serioze nëpër zgjedhjet periferike të ca zonave të caktuara) politik e social. S’dyti, anipse ato u mbajtën nën presionin dhe llupën e mediave sociale, arritjen të bëhen interesante, që në pamje të parë fitohet përshtypja se “agjentët” mediatik të LDK-s e bënë këtë lloj farse e folklorizmi qëllimshëm.

Kur them qëllimshëm, këtu nënkuptoj aktin dhe faktin e arritjes së të bërit interesant mënyrës së zgjedhjes së kryetarit të saj, që u mbajt “sekret publik”, deri në ditën e mbajtjes së Kuvendit. Pra, u arrit maksimumi i vëmendjes së opinionit dhe mediave sociale kosovare. Natyrisht, nëse ka qenë ky synim dhe qëllim në vete. Por, në gjithë këtë “odisejadë” sociale, u pa që LDK-ja dhe udhëheqja e saj e mëparshme, për mendimin tim nuk e dha testin e asaj që shquhet dhe identifikohet si proces i demokratizimit të brendshëm. Kur e them ketë aludimi im është te mungesa e lirisë së plotë të përzgjedhjes së të parit të këtij subjekti. Pastaj te loja e dyfishtë me publikun dhe mediat sociale, shkaku se deri në ditën e fundit, në opinion e medie kosovare ndjekej apo “promovohej online”, si edhe te mënyra e përzgjedhjes së të parit tē këtij subjekti, përmes një konkurrence të fortë lojale të pretendentëve (Sejdiut, Hazirit, Veliut e Mustafës më pak ambicioz) kryesor. Ajo çka kishin harruar “arkitektët” e këtij “spektakli” tē imponuar, ishin ofertat, projektet, planet e pretendentëve, por jo edhe emrat e përveçëm…Zgjedhja e Isa Mustafës, vërtet do e ruaj ashtu siç trumbetohej “unitetin” (klanor) dhe monopolin (politik), mirëpo, ideja ishte për llojin apo tipin e unitetit; atë klanor, partiak, ideologjike, programor, apo unitetin mbi “pronësinë” de facto sociale të LDK-s? Dhe këtë pyetje e përgjigje ende nuk e kam hasur në predikimet viktimizuese, të këtij subjekti pretendent për t’i udhëhequr proceset dhe interesat e Kosovës, në periudhën postdorëheqëse të kryeministrit Haradinaj. Megjithatë, ata ndoshta këtë pretendim mendojnë ta ushtrojnë në zgjedhjet e parakohshme që po trokasin. S’treti, mendoj që cilësimi më adekuat për Kuvendin e fundit, është se; ai ishte demokratik, por i tipit të ish centralizmit vetëqeverisës. Ku aklamacioni gjithnjë ishte dhe mbahej si karremi e argumenti me i fuqishëm i demokratizimit të brendshëm…

2. Por pyetja milionëshe është nëse LDK-ja do mundet me garniturën aktuale të dal subjekti i parë në zgjedhjet e sivjetme? Thënë shkurtazi; Nuk e besoj këtë. Dhe këtë gjykim e bazojë në pakënaqësinë enorme të anëtarësisë së gjerë të këtij subjekti nëpër rrjetet sociale, që u “alarmua” fill pas përfundimit të Kuvendit të fundit. Kjo pakënaqësi e gjithsesi edhe frustrim psikologjik i publikut, mendoj se buron pikërisht te mos mbajtja e fjalës për lirinë dhe procedurat demokratike të përzgjedhjes së kryeparit, si edhe tek premtimi se do ketë ndërrim gjeneratash në udhëheqjen e re. Gjë që u pa se ishte një mashtrim perfid i grupit të Mustafēs, kur në prononcimet publike “lejoj” proklamimin publik të kandidaturave të gjeneratës së vjetër (Sejdiu) dhe asaj të mesme (Haziri e Veliu) monopoliste, në vend që tē aktivizohej kandidatura e gjenerate se re (Abrashi, Osmani etj.) Ky konstatim logjik, padyshim që do testohet në zgjedhjet e sivjetme. Dhe jam shumë i bindur që kjo do e dëmtoj shumë këtë subjekt. Dhe se “deliriumi” i vetëkënaqësisë, ishte, është dhe do mbetet provizor dhe për konsum dhe për mobilizim të brendshëm elektoral. Edhe diçka duhet theksuar në këtë kontekst; kontingjentet e reja votuese që për çdo vit në Kosovë hyjnë mbi 30.000 (e që me siguri edhe në LDK) nuk e kanë më vartësinë e përcaktimit të tyre, ekskluzivisht te karizma lideriske e kryetarit (ashtu siç ishte ne kohën e Rugovës). Por e kanë tek; oferta pragmatike për problemet e punësimit (që është më i larti në Europë?!) zbutjes së varfërisë (po ashtu më të lartit në Europë!?) dhe ato të mirëqenies.

3. Cili koalicion mund të jetë prijatar në zgjedhjet e parakohshme?; Shoqata e Sociologëve të Kosovës(SHeSK), para ca javëve ka bërë një matje interne. Dhe sipas këtyre preferencave dhe perceptimi aktual koalicion fitues do dal ai LDK- Vetëvendosje. Por, me kushtin që koalicioni të bëhet parazgjedhor. Sa pash prononcimet deri në delirium të LDK-s, ato do shkojnë vetëm si subjekt në zgjedhje. Mendoj që do dëshpërohen…Sepse, janë shumë tema e çështje, që LDK-n nuk do e bë strumbullar të vendimmarrjes, por të  prapaskenave dhe pazareve, të klanit tani për tani më të fortë dhe me” votën e 355 delegatëve” të saj. S’këndejmi mendoj që farsa e Kuvendit, në rast se nuk hy në koalicion parazgjedhor (shkaku i mendjemadhësisë së demonstruar, pas Kuvendit) së të këtyre ditëve e LDK-s, do dekonspirohet me zgjedhjet e parakohshme…

Leave a Reply

Your email address will not be published.