Pa kategori

Veseli vazhdon ta thumbojë Haradinajn me fjalë të mira për Amerikën

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli edhe njëherë e ka thumbuar kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, duke thënë fjalë të mira për Amerikën. Në një njoftim për media të lëshuar pak më parë ku citohet Veseli, thuhet se “Pa Amerikën nuk mund të ketë marrëveshje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

E kryeministri Haradinaj në një intervistë dhënë për KTV’në ka thënë se Veseli po tregohet servil ndaj Amerikës.

“Fatkeqësisht, po e them edhe njëherë, ky është servilizëm, është servilizmi ma i ulët i mundshëm që mundet ta bëjë një udhëheqës politik”, ka thënë Haradinja.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, aktualisht është në Amerikë, ku ka  takuar në Washington kryetarin e Komisionit për Politikë Jashtme të Senatit Amerikan, senatorin Bob Menendez.

Në këtë takim,  sic është bërë e ditur në njoftimin për media, Veseli e ka njohur senatorin Menendez me zhvillimet politike në Kosovë dhe rajon, ndërsa e ka falënderuar atë për kontributin dhe rolin mbështetës të Senatit Amerikan për Republikën e Kosovës.

Temë e diskutimeve në këtë takim ishte edhe procesi i dialogut Kosovë-Serbi dhe rëndësinë që ka për Kosovën involvimi direkt i SHBA-së në këtë proces.

“Pa Amerikën nuk mund të ketë marrëveshje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Involvimi direkt i SHBA-së në këtë proces është qenësor për realizimin e marrëveshjes e cila do të sigurojë njohjen e pavarësisë së shtetit të pavarur e sovran të Kosovës si dhe ulësen në OKB”, tha Veseli.

Senatori Menendez tha se është shumë me rëndësi që Kosova të jetë e gatshme për fazën finale të dialogut për arritjen e marrëveshjes përfundimtare.

“Ndihem shumë krenar që në vitin 2008 SHBA-të ishin ndër venet e para që njohu pavarësinë e Republikës së Kosovës. Mbështetja e SHBA-së për Kosovën do të vazhdojë edhe në të ardhmen”, tha Menendez.