Kosova

Veseli për Demaçin: Mandela i Evropës mposhti frikën nga pushtuesi, këtu nisi liria

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në seancën komemorative kushtuar veprimtarit të shquar Adem Demaçi, tha se Kosova ka humbur njërin prej njerëzve më të mëdhenj që ka dhënë kjo tokë në 100 vjetët e fundit. Ai theksoi se fëmijët e vendit tonë do të rriten duke mësuar për Demaçin.

“E burgosën, e izoluan, e dënuan, e ridënuan, 28 vjet pa ndërprerë. Por, nuk e thyen. Nuk e bënë për vete. Adem Demaçi e kishte mposhtur frikën nga pushtuesi dhe me guximin e tij ai e mësoi një popull të tërë ta mposhtë frikën. Këtu nisi liria, sepse një popull që nuk i frikësohet pushtuesit, ai domosdo do ta fitojë lirinë”, tha kryeparlamentari Veseli, transmeton Gazeta Express.

“Kemi humbur Adem Demaçin, simbolin e gjithë lëvizjes sonë kombëtare për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Adem Demaçi ishte ndërgjegjja e lëvizjes sonë kombëtare për çlirimin e Kosovës. Disidenti më kokëfortë në gjithë botën komuniste. Mandela i Evropës”, theksoi ai.

Ai tha se Demaçi nuk u ndal e nuk u dorëzua asnjëherë dhe se veprimtaria e tij ishte frymëzim.

“Kujtimi për ty do të jetojë përgjithmonë, ashtu siç do të jetojë përgjithmonë ajo të cilës ia kushtove gjithë jetën, liria e Kosovës”, përfundoi ai. /Express