Kosova

Veseli: Duhet marrë nismat konstruktive për të parandaluar kolapsin ekonomik për shkak të pandemisë COVID-19

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, po vazhdon aktivitetet politike brenda dhe jashtë partisë me propozime në përballje të pandemisë COVID-19.

Veseli sot ka zhvilluar diskutime me anëtarët e Kryesisë dhe kryetarët e degëve të PDK-së lidhur me propozim pakon emergjente prej 320 milionë eurove që pritet të trajtohet me iniciativë të PDK-së të martën në Kuvendin e Kosovës.

Përmes rrjetit social Facebook tha se është e rrugës të bisedohet për nismat konstruktive për sa i përket masave ekonomike që duhen marrë për të përballuar siç duhet luftën kundër pandemisë si dhe për të parandaluar kolapsin ekonomik.

“Partia Demokratike e Kosovës vazhdon intensivisht reformën e saj të brendshme pavarësisht situatës emergjente të pandemisë. Gjithmonë të kujdesshëm, duke respektuar rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë si dhe duke shfrytëzuar avantazhet e teknologjisë së informacionit, ne vazhdojmë rregullisht komunikimin brenda strukturave.

Sot bisedova në video-konferencë me kryetarët e degëve si dhe anëtarët e kryesisë së PDK-së, për aktivitetet e ardhshme të partisë si dhe për nismat tona konstruktive për sa i përket masave ekonomike që duhen marrë për të përballuar siç duhet luftën kundër pandemisë si dhe për të parandaluar kolapsin ekonomik. Me këtë rast ju ftoj edhe juve sërish që të mbani distancën sociale e mos të dilni nga shtëpia pa nevojë. Së bashku do t’ia dalim ta tejkalojmë këtë vështirësi”, tha Veseli.