Kosova

Vesel Krasniqi i Nismas: Do të ankohemi në PZAP, besoj që do të më lejohet kandidimi

Nisma Socialdemokrate është në mesin e tri partive politike që nuk u certifikuan nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), për zgjedhjet e 14 shkurtit. Ky vendim i KQZ’së erdhi pasi Nisma, Lëvizja Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk i larguan kandidatët që kishin vendime gjyqësore të formës së prerë nga listat zgjedhore. E të tillë më së shumti kishte Nisma me gjithsej 15 kandidatë.

Nisma Socialdemokrate nuk u certifikua mbrëmë nga KQZ’ja për të marr pjesë në zgjedhjet e 14 shkurtit. Kjo për shkak se kjo parti nuk i hoqi nga lista zgjedhore kandidatët që ishin të dënuar me vendim të formës së prerë në tri vitet e fundit, ashtu siç përcaktoi Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin që rrëzoi Qeverinë “Hoti”

Anëtari i Nismas Vesel Krasniqi në një intervistë për Express, se kjo parti sot do të ankohet në Panelin Zgjedhore për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), për KQZ’në.

“Ne sot do të dorëzojmë ankesën e cila konsiderohet që i është bërë një e padrejtë, që i është mohuar pjesëmarrja në zgjedhje si një subjekt padrejtësisht edhe pse nuk kemi pasur asnjë vërejtje, asnjë ankesë nga KQZ’ja në momentin kure i kemi dorëzuar listat”, ka deklaruar ai.

E sipas tij padrejtësisht për Nismën po bëhen vit pas vitit. Ai përmendi edhe zgjedhjet e tetorit të 2019’ës, ku Nisma pas disa ankesave dhe shqyrtimeve kaloi pragun dhe u bë pjesë e Kuvendit.

“Kjo është një e padrejtë që po i bëhet Nismas edhe vitin e kaluar, me ato votat e trafikuara përsëri e njëjta padrejtësi pop i bëhet edhe tash duke u tentuar që ta lënë jashtë garës, por gjithsesi ne do të jemi në garë dhe do të garojmë dhe do të jemi befasia e këtyre zgjedhjeve”, ka thënë ai për Express.

Ai foli edhe për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që ndaloi kandidaimin në zgjedhjet e 14 shkurtit për kandidatët e partive që janë të dënuar me vendim të formës së prerë në tri vitet e fundit.

“Është e padrejtë që ti mohohet një kandidati që të konkurrojë për deputet në Kuvendin e Kosovës, pse ka pasur një gjobë prej 18 euro në komunikacione ose pse e ka vonuar deklarimin e pasurisë. Është një diçka e padrejtë”, ka thënë ai.

Veseli i cili edhe vet gjendet në listën e kandidatëve për deputet nga Nisma që i ndalohet kandidimi, tha se përkundër ndalesës ai do të garojë për deputet.

Duke folur për dënimin e tij, ai theksoi se e gjitha është një keqkuptim mes tij dhe Agjencisë Kundër Korrupsion (AKK), ku si shkak i vonesës dy ditëshe në deklarimit e pasurisë, ai u dënua.

“Unë besoj që do të jem pjesë e listës së Nismas Socialdemokrate në mesin e kandidatëve për deputet. Ky ka qenë një rast në 2017’ën, kur e kam marrë pozitën e zëvendësministrit. Jam vonuar dy ditë për ta deklaruar pasurinë. Që 20 vite jam në pozita të larta udhëheqëse. Asnjëherë skam pasur problem. kjo ka qenë për herë të parë, që ka pasur një keqkuptim në mes meje dhe Agjencinë Kundër Korrupsion (AAK). Dy ditë që jam vonuar dhe ky është rasti pse po ndalohem”, ka thënë ai.

Përvec Vesel Krasniqit, kandidimi për deputet nga Nisma Socialdemokrate iu ndalua edhe Besnik Berishës, Filloreta Bytyçit, Valentina Alijajt, Xhafer Berishës, Aziz Thaçit, Musa Fetahajt, Hasime Dakës, Fatmir Gërdellajt, Vehbi Avdullahajt, Endrit Shalës, Ardian Nokajt dhe tre të tjerëve.

Të njëjtin fat si Nisma Socialdemokrate e pati edhe LVV’ja dhe AAK’ja. Të tri këto parti për shkak të mos largimit të kandidatëve të dënuar nga lista, nuk u certifikuan nga KQZ’ja./Gazeta Express/