Kosova

Veriorët paralajmërojnë mbylljen e dyqaneve dhe të hoteleve

Veriorët kanë paralajmëruar se asnjë objekt tregtar apo hotelieri nuk do të funksionojë nga e hëna. Mediat lokale atje kanë raportuar se në shumicën e dyqaneve që kanë vizituar ka mungesë të produkteve të qumështit, mishit e vezëve, shkruan sot Koha Ditore.

Për këtë çështje të enjten është diskutuar edhe në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut. Partia opozitar “SDP Oliver Ivanoviq” ka propozuar miratimin e një deklarate të përbashkët. Por kryetari i Komunës, Goran Rakiq, ka thënë se fillimisht do të takohet me biznesmenë dhe qytetarë, para se të marrin ndonjë vendim.

Por këshilltarët shqiptarë në Komunën e Mitrovicës së Veriut kanë thënë se situata nuk është aq dramatike siç po tentohet të prezantohet.

Sipas anëtarit të Kuvendit, Bashkim Cimili, dyqanet në Lagjen e Boshnjakëve dhe tek Tre Rrokaqiejt janë duke vazhduar punën normalisht. Në zonën që lidh dy qytetet, përkatësisht tek Lagjja e Boshnjakëve, ka biznese të përziera të serbëve, shqiptarëve dhe boshnjakëve.