KULTURË

Vepra është emri, emri është mbiemri

Në kërkim të rrënjëve 

“Sislej ishte një fëmijë shumë i qetë dhe i bukur. Ai gjithmonë kishte sjellje të mirë dhe i ndiqte të gjitha rregullat, si në shtëpi, ashtu edhe në shkollë. Ai shkonte në gjumë çdo natë në kohë dhe dhëmbët e tij ishin të bardhë si bora. Ai luante bukur në piano dhe në flaut. Në fundjavë e çonim për kalërim përpara aktiviteteve të tij të skautit. Ai gjithashtu shfaqte interes të madh për gjuhën frënge. Sislej gjithmonë ishte shumë i dobishëm për të tjerët. Përderisa shokët e tij dilnin të luanin jashtë pas shkollës, Sisleji kishte vendosur që kohën e tij pas shkollës ta falte për t’i ndihmuar të moshuarit në punët e tyre shtëpiake. Shpërblimi i tij vjetor ishte që gjithmonë në dimër të shkonte për ski me prindërit, vëllezërit dhe motrat e tij” – Nëna. 

Që t’i qasem më korrekt veprës se Sislej Xhafës, desha të zbuloj diçka më tepër në rrënjët e tij, në po ato rrënjë që metaforikisht i ka paraqitur përmes pemës së ullirit gjatë ekspozitës së tij në Berlin në vitin 2017, ku megjithatë e tërhiqte vërejtjen “Don’t touchme”! Atë biografi që ma ofroi galeria GALLERIACONTINUA, të cilën ai e përfaqësonte, ishte kryekëput për veprën e Sislejt si artist. Atë që kërkoja ishte e thurur me shumë modesti në letrën e nënës, të cilën Sislej e lexoj para audiencës së Muzeut Metropolitan në vend që të fliste për veprën e tij, për çka në fakt ishte edhe i ftuar, shkruan albinfo.ch. 

Vetmiovale me “v” të vogël 

Vepra e Sislejt, me të cilën ai u paraqit në Art Basel 2019, ovoid solitude (vetmiovale), si edhe veprat e tij të tjera, pa dyshim që është shumështresore, si për nga mënyra se si ajo ofrohet, po ashtu edhe nga ajo se si vepra perceptohet dhe konsumohet.Shumështresshmëria e kësaj vepre manifestohet edhe në vështirësinë për ta kategorizuar atë, duke filluar nga kuptimi më i gjerë si vepër artistike, deri te përkufizimi i saj si një instalim performativ. Si shikues, gjendesh përpara një shitore shumë të madh dhe pa dritare, e tëra e bërë nga fletë të mëdha metali të hullizuara dhe të ngjyrosura në të bardhë, mu si muret e shtëpive të vjetra të gëlqerosura. Në mes të gjithë kësaj hapësire të bardhë gjendet një derë, ku qëndron i ulur qetë kubanezi ngjyrë-errët Raul. I qetë dhe pa ndonjë emocion të veçantë, Rauli, me një pjesë të trupit në dritë dhe tjetrës në errësirë, i përngjan dikujt që shëtit lirshëm mes botëve: asaj që shohim përjashta dhe asaj që pjesërisht shihet mbrapa tij. Nuk ka titull, po as ndonjë indikacion, që bën fjalë për ndonjë performans, instalim performativ, pikturë të gjallë ose, thjesht, se bëhet fjalë – në fakt – për një shitore të vezëve. Në të shumtën e rasteve vizitorët, mes tjerash, e përshkruanin veprën si shumëdimensionale, por edhe provokuese. Sisleji, në anën tjetër, pyetjes se a është vepra e tij provokuese, ai përgjigjet: “Arti nuk është provokues. Korrupsioni, padrejtësia, racizmi janë provokime. Arti është i bukur. Arti krijon dimensione të përvojës së jashtëzakonshme, ku krijohet një mundësi për pyetje. Literatura, filmi dhe arti, në përgjithësi, nuk janë provokime, por janë vetëm një përvojë magjike, personale, unike”, përcjell albinfo.ch.  

Unlimited 

Nuk është e rastit që vepra artistike e Sislejt të gjendet në hapësirën Unlimited të këtij manifestimi, sepse aty ishte artisti, ai i cili duhej t’ia vendos kufijtë asaj që ai ose ajo dëshiron ta prezantojë. Këtu Sislej Xhafa, si një ilegal i përkushtuar që është, i kalon kufijtë dhe përkufizimet tematike, kategorizuese, doktrinore, kohore dhe hapësinore, duke aluduar në artin si një prej mjeteve të vetme të civilizimit të sotëm, që denjësisht përfaqëson demokracinë, duke u shprehur: “Arti është si një mjet i jashtëzakonshëm i demokracisë. Ai lë hapësirë të pjesëmarrjes dhe, po ashtu, lë hapësirë të një dimensioni të një përvoje unike. Arti është e vetmja demokraci që ekziston në këtë shoqëri, në këtë civilizim. Për mua është shumë me rëndësi perceptimi, si dhe aspekti i pjesëmarrjes individuale. Kur flasim për demokraci, flasim për një akt praktik të pjesëmarrjes edhe të ndjenjave personale. Arti mund ta ofrojë këtë mundësi.” 

Vepra është emri, emri është mbiemri 

“Titulli është një element, një faktor shumë i rëndësishëm sa edhe vepra e artit…”. Kështu e filloi shpjegimin Sislej kur e pyeta se mos ndoshta heqja e titullit nga cilado vepër e artit do të linte më tepër hapësirë për shikuesin që të ndërmarrë rrugëtimin individual, pa shenja, drejt përjetimit të veprës artistike, që ai të vazhdojë më tutje: “Kur e krijon një titull, ai është një intensitet, krijon një hapësirë konceptuale edhe ofron një mundësi të perceptimit. Unë gjithnjë i qasem kësaj si momenti kur fëmijët lindin; ata e kanë një emër dhe një mbiemër. Për mua titulli është shumë i rëndësishëm për reflektimin e ndjenjave të mia ndaj veprës dhe kohës”.  

Mes ujit dhe impresionizmit 

Duhet ta pranoj se emri Sislej për mua ishte mjaft intrigues. Përpjekjet e pasuksesshme për ta gjetur kuptimin, rrënjën e emrit, u transformuan në pyetje konkrete: “Prej nga ky emër? Si ky emër? Kuptimi?”. Dhe, rrëfimi filloi: “Fillimisht babai ka dashur të ma vërë emrin Ujë!” Vetëm e paramendova sa i jashtëzakonshëm dhe njëkohësisht sa ordiner do të ishte një emër i këtillë. Po të mos ishte gjyshja, ndoshta unë sot do të bashkëbisedoja me Ujin. “Ajo ka insistuar që të mos ma vërë emrin Ujë”, e vazhdon rrëfimin Sislej “nga frika që mos ndoshta sa herë të kërkojë dikush ujë, unë të kthehem duke menduar se më thërrasin mua”. Këtu rrëfimi merr drejtim impresionist dhe babai vendos t’ia vërë mbiemrin e impresionistit Alfred Sisley-it, me ndryshim të shkronjës y në j, duke na sjellë përsëri te konkluzioni i përbashkët se vepra është emri, ndërsa emri është mbiemri. /albinfo.ch