Bota

Vendosja e emrit të nënave në dokumente identifikuese nxit reagimin nga talebanët

Laleh Osmany është gruaja afgane që për vite me radhë, ka bërë fushatë për ndryshimin e zakonit të lashtë që në dokumentet identifikuese të njerëzve, përveç emrave të baballarëve, të figurojnë edhe emrat e nënave.

Fushata “Ku është emri im”, e cila ka sjellë ndryshime në ligjin, gjatë javës së kaluar, ka nxitur debate në vendet konservatore myslimane, pasi që për dikë, të folurit e gruas në publik është tabu.

Talebanët që sapo kanë filluar bisedimet për ndarjen e pushtetit me qeverinë afgane, me gjithë që po përfshihen në procesin e paqes, kanë kundërshtuar ashpër reformën e re për të drejtat e grave në sferën publike.

“Që nga fillimi i kësaj fushate e deri më tani, ne kemi hasur në fyerje, kërcënime dhe ofendime”, deklaroi Osmany, një 28-vjeçare e diplomuar për studime fetare.

Për Osmanyn dhe shumë gra të tjera afgane, përfshirja e emrit të nënës, përpos atij të babait në dokumentin identifikues, përfaqëson njohjen e të drejtave të grave në shoqëri.

“Këtë të drejtë na e ka dhënë Islame, ne duam t’i marrim të drejtat tona”, deklaroi ajo.

Fushata e gruas së njohur në ato zona, e cila u iniciua në mediat sociale të vitit 2017, u shpërblye javën e kaluar, kur Presidenti i vendit, Ashraf Ghani, nënshkroi ndryshimin që do i njihte nënat në mënyrë të barabartë me baballarët në këto dokumente.

“Përfshirja e emrit të nënës në dokumentet identifikuese do të ishte një turp dhe çnderim për afganët”, ka deklaruar Said Akbar Agha, që ka shërbyer si zyrtar gjatë qeverisjes së talebanëve.

Të drejtat e grave janë përmirësuar që nga koha kur talebanët e krahut ekstrem janë detyruar të largohen nga pushteti, në vitin 2001, shkruan Reuters. Mirëpo, shqetësimi është evident lidhur me perspektivat e rritjes së mbështetjes së kësaj ideologjie dhe një kthim i mundshëm i këtij lloj grupi në qeverisje.

Megjithatë, pushteti që e ka lejuar këtë ndryshim, ka premtuar se do e lejojnë arsimimin e vajzave dhe grave për të kryer punë të tjera, jashtë shtëpisë.

Por, kur flitet për detaje të tilla nëse gratë duhet të jenë të mbuluara apo të punojnë së bashku me burrat, qeveritarët thonë se këto do të vendoseshin sipas sheritatit islam.

Krahas kësaj, një numër i grave kanë mosbesim dhe dyshojnë në sinqeritetin e këtij ndryshime pasi që zëdhënësi i talebanëve, Zabihullah Mujahid, ka deklaruar se grupi i tij, e ka kundërshtuar vendosjen e emrave të nënave në dokumente identifikuese.

“Nga një këndvështrim fetar, emrat e grave janë të ndaluara dhe nuk mund të përmenden askund,” i tha Muxhahid Reuters.

“Përmendja e emrave të nënave, grave, motrave dhe vajzave nuk është e tolerueshme nga ana kulturore në shoqërinë tonë,” shtoi ai.

Në një mesazh të mëvonshëm për Reuters për të sqaruar komentin e tij, Muxhahid tha: “Emërtimi i gruas ose nënës së dikujt është gjithashtu pjesë e privatësisë së një familjeje ose dikujt, dhe nëse ata nuk e duan këtë dhe e konsiderojnë këtë tabu ose turp, atëherë nga sheriati dhe pikëpamja kulturore, është një arsye e vlefshme dhe askush nuk duhet të ndërhyjë. ”

Osmany tha se ishte e zhgënjyer nga pozicioni i Talebanëve por nuk do të ndalet së luftuar për njohjen e grave edhe pse ishte e shqetësuar për sigurinë e saj dhe të kolegëve të saj.

“Ne nuk po bëjmë asgjë të gabuar, kështu që ne do të vazhdojmë këtë luftë në mënyrë që të mund të ringjallim identitetin e grave,” tha ajo.

“Ne e dimë që ndryshimi është i vështirë, është e vështirë të ndryshosh shoqërinë, por kur fillojmë të punojmë, nuk duhet të kemi frikë nga pengesat dhe kurrë nuk duhet të heqim dorë”, ka përfunduar Osmany.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.