EKONOMI

Vendimin e BE, kompanitë vendore e quajnë epokë të re për industrinë e Kosovës

Kompanitë afariste të përpunimit të mishrave, kanë mirëpritur vendimin për përfshirjen e Kosovës në listën e vendeve të treta, me të drejt eksporti për produktet ushqimore me origjinë shtazore në vendet e Bashkimit Evropian.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë pas një pune të gjatë dhe jo të lehtë për përmbushjen e kritereve të kontrollit, sipas rregullave të BE-së, dhe si autoritet garantues për sigurinë e produkteve ushqimore të prodhuara në Kosovë, iu është nënshtruar Auditimit të Komisionit nga ana e ekspertëve të dërguar nga BE, për të vlerësuar sistemet e kontrollit të agjencisë që ushtrohen  mbi prodhimet e  produkteve të mishit të shpendëve të destinuara për eksport në BE. 

AUV pas vlerësimit mori  rezultate pozitive, sipas së cilave del që: si autoritet shtetëror ka përmbushur të gjitha kushtet për të  garantuar për sigurinë e produkteve që prodhohen në Kosovë, për fabrikat të cilat aplikojnë për eksport në BE.

“Ky është argumenti më i mirë për nivelet e kontrollit që ushtron Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë dhe për standardet e avancuara infrastrukturore që kanë krijuar prodhuesit e Kosovës. Ky vendim është inkurajues për të gjithë prodhuesit e ushqimit që synojnë tregun e BE. Komisioni Evropian respektivisht Drejtoria për Shëndet dhe Siguri të Ushqimit DG SANTE, nga tani e tutje edhe zyrtarisht e konsideron partner kontraktual Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë se Republikës se Kosovës”, thuhet në një deklaratë të AUV.

Nga ana tjetër kompanitë vendore e kanë cilësuar si lajm të mirë këtë vendim.

Burim Piraj pronar i kompanisë Meka thekson se nga ky moment fillon një epokë e re e industrisë ushqimore në vend! 

“Normal se nuk do të fillon eksporti menjëherë, mirëpo dera tani më është e hapur dhe presim ditë shumë të mira për këtë industri. Kosova ka mjaft produkte mishi dhe qumështi për të cilat ka interesim të importit nga firma të ndryshme të cilat operojnë në vendet e Bashkimit Evropian!”, u shpreh Piraj për Kosova.info.

Ndërkaq Mustafë Halili, sipërmarrës i kompanisë “Fron shpk”, dhe njohës i ekonomisë makro, në një prononcim për Kosova.info, e ka cilësuar një lajm mjaft inkurajues për kompanitë vendore i përmbushjen e kritereve për eksportin e produkteve ushqimore me origjinë shtazore drejt BE-së.

“Duke pasur parasysh faktin se kapacitetet prodhuese të industrisë së produkteve të qumështit dhe mishit Kosova i ka dhe mund t’i ngrit edhe më tej, atëherë mund të konstatojmë se e ardhmja ekonomike e vendit tonë  është e ardhme e ndritur. Përmes kësaj mundësie edhe bizneset kosovare do të kenë mundësi të shumëfishta operimi në tregun e BE-së dhe shkëmbimit të përvojave”, tha Halili për Kosova.info.

Lajmi i ka entuziazmuar edhe kompanitë e tjera vendore, të cilat merren me përpunimin e mishit. Efekti i hapjes së tregut për kosovarët, nuk do të jetë i menjëhershëm sipas tyre, por është e rëndësishme që do të jetë afatgjatë. /Kosova.info/

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483