Kosova

Vendimi i Kushtetueses: Nuk mund të shkohet në zgjedhje pa vullnetin e deputetëve

Gjykata Kushtetuese ka vendosur në favor të presidentit të vendit, Hashim Thaçi, në të gjitha çështjet e ngritura nga Lëvizja Vetëvendosje, duke i dhënë të drejtë Avdullah Hotit për formimin e qeverisë së re.

Në versionin e shkurtër të vendimit, që u publikua në orët e vona të së enjtes, Gjykata ka vlerësuar se Kushtetuta nuk e parasheh që Kuvendi duhet patjetër të shpërbëhet dhe vendi të shkojë në zgjedhje, në rastin kur ka mocion mosbesimi ndaj Qeverisë, raporton KOHA.

Sipas pikës 16, kur partia fituese e zgjedhjeve nuk mund ta formojë Qeverinë ose refuzon të marrë mandatin, atëherë Kushtetuesja ia ka lënë në diskrecion presidentit që të vendosë se cila parti e përfaqësuar në Kuvend i ka gjasat më të mëdha për ta formuar Qeverinë në mënyrë që të shmangen zgjedhjet.

“E drejta e parë për formimin e Qeverisë i takon “partisë politike ose koalicionit që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë”, përkatësisht partisë politike ose koalicionit fitues të zgjedhjeve. Presidenti nuk ka diskrecion lidhur me të drejtën e kësaj partie politike ose koalicioni për të propozuar kandidatin për kryeministër dhe vetëm e mandaton atë. Në rast të dështimit të zgjedhjes së kësaj Qeverie në Kuvend apo refuzimit të këtij mandati nga partia politike ose koalicioni fitues, e drejta për formimin e Qeverisë kalon te partia politike ose koalicioni i përfaqësuar në Kuvend, që në diskrecionin e presidentit ka gjasat më të mëdha për të formuar Qeverinë në mënyrë që të shmangen zgjedhjet. Ndërsa dështimi i këtyre dy mundësive rezulton në detyrimin e presidentit për të shpallur zgjedhjet, siç është përcaktuar në Kushtetutë”, thuhet në këtë pikë të vendimit.

E vetëm në rast të dështimit të këtyre dy mundësive, atëherë presidenti mund të shpallë zgjedhjet.

E për ta arsyetuar këtë aktgjykim, Gjykata në pikën 14 ka sqaruar se neni 82 i Kushtetutës gjithmonë është zbatuar në këtë mënyrë edhe në legjislaturat e kaluara.

“Deri më sot neni 82 i Kushtetutës gjithmonë është zbatuar në këtë mënyrë, më saktësisht: (i) legjislatura e tretë dhe e pestë janë shpërndarë nga presidenti në vitin e tretë të mandatit të tyre, në vitet 2010 dhe 2017, respektivisht kur në Kuvend nuk ka pasur vullnet e as shumicë të nevojshme për të formuar një qeveri të re; ndërkaq (ii) legjislatura e katërt dhe e gjashtë, në vitet 2014 dhe 2019, respektivisht janë vetëshpërndarë me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve dhe kjo shpërndarje vetëm është dekretuar nga presidentët përkatës”, thuhet në vendim.

Gjykata ka sqaruar edhe rastin e tanishëm, por ka ardhur në përfundim se shpërndarja e Kuvendit nga presidenti kundër vullnetit të përfaqësuesve të popullit do të ishte arbitrare e qartazi kundërkushtetuese.

“Rrethanat e rastit konkret dallojnë qartazi nga ato të legjislaturave të kaluara. Në këtë rast (i) një mocion mosbesimi është votuar me dy të tretat (2/3) e të gjithë përfaqësuesve të popullit dhe të njëjtit nuk kanë nevojë për ndihmën e presidentit për t’u shpërndarë; dhe (ii) shumica e partive politike dhe koalicioneve të përfaqësuara në Kuvend, respektivisht edhe shumica e të zgjedhurve të popullit janë deklaruar në favor të krijimit të një qeverie të re pas shprehjes së mosbesimit ndaj Qeverisë në detyrë/dorëheqje. Shpërndarja e Kuvendit nga presidenti kundër vullnetit të përfaqësuesve të popullit do të ishte arbitrare e qartazi kundërkushtetuese. Përkundrazi, presidenti ka qenë i detyruar të fillojë procedurat për t’ia dhënë mundësinë formimit të një qeverie të re bazuar në dispozitat e nenit 95 të Kushtetutës”, thuhet tutje në akthjykim.

Ndërsa pika 23 e këtij aktgjykimi ka përcaktuar se presidenti në një afat prej 10 ditësh, në rastin e dytë të konsultimeve, duhet të vendosë se kush ka gjasa të formojë Qeverinë.

“Së dyti, Gjykata rikujtoi që në Aktgjykimin KO103/14 ajo ka bërë dallimin përkitazi me natyrën e “konsultimit” në mes presidentit dhe partisë politike apo koalicionit me të drejtën për të propozuar mandatarin e parë dhe të dytë. Në rastin e parë presidenti nuk ka diskrecion dhe është plotësisht e qartë se cila është partia politike ose koalicioni, i cili propozon mandatarin për kryeministër, rrjedhimisht ky “konsultim” ngërthen një proces krejtësisht formal dhe teknik ndërmjet presidentit dhe partisë apo koalicionit fitues, për propozimin e një mandatari dhe mandatimin e të njëjtit. Për dallim nga kjo, në rastin e dytë nuk është e qartë se cila është partia politike ose koalicioni me të drejtën e propozimit të mandatarit, gjë që mbetet në diskrecion të presidentit për t’u konsultuar me të gjitha partitë politike dhe koalicionet e përfaqësuara në Kuvend për të vlerësuar se cila ka gjasën më të madhe për të formuar qeverinë, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet. Rrjedhimisht, ky proces “konsultimi” është më kompleks sesa në rastin e parë dhe megjithatë Kushtetuta përcakton detyrimin për presidentin që ushtrimin e këtij diskrecioni ta zbatojë në afat dhjetë (10) ditor”, shkruan në pikën 23.

Gjykatësit kanë konsideruar se nuk është në frymën e Kushtetutës së Kosovës që një parti fituese e zgjedhjeve mund të bllokojë vazhdimisht krijimin e institucioneve.

“Prandaj, pretendimi i parashtruesve se “Gjykata ka thënë se presidenti mund të anashkalojë fituesin e zgjedhjeve, vetëm nëse ky heq dorë shprehimisht nga e drejta e tij, por në asnjë rrethanë tjetër”, nuk është i saktë. Kjo sepse, edhe autorizimi për partinë politike fituese që refuzimin e marrjes së mandatit ta bëjë vetëm shprehimisht, pra mundësia të mos propozojë një emër për mandatar dhe në të njëjtën kohë të mos e refuzojë këtë të drejtë shprehimisht, do ta mvishte partinë politike fituese me të drejtën për të bllokuar procesin e caktimit të mandatarit nga presidenti”, thuhet në vendimin e GJK-së.

Më 30 prill, Lëvizja Vetëvendosje kishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese dekretin e presidentit me arsyetimin se ishte shkelur Kushtetuta, ndërsa një ditë më vonë kjo gjykatë e kishte pezulluar dekretin deri në dhënien e aktvendimit final, i cili i plotë pritet të publikohet ditëve në vijim.