Vendimi i Kurtit për Manastirin, kryetari i historianëve në Deçan: Sot është një ditë zie për Kosovën

Shkodran Imeraj, kryetar i Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, ka reaguar pas vendimit të sotëm të kryeministrit Albin Kurti lidhur me pronën te Manastiri i Deçanit.

Përmes një konferencë për media, Imeraj ka thënë se sot është ditë zie për Kosovën, ndera zbatimin e këtij vendimi e quan sulm të rëndë ndaj rendit juridik e kushtetues.

“Sot është një dite zie për Kosovën. Jemi të befasuar dhe shumë të shqetësuar me vendimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili ka kërkuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për 24 hektarë tokë afër manastirit të Deçanit. Zbatimi i vendimit të gjykatës është sulmi më i madh që i është bërë  rendit juridik e kushtetues të Republikës së Kosovës që nga hyrja në fuqi e kushtetutës së Kosovës të vitit 2008”, tha Imeraj në një konferencë për media.

Ai tutje tha se kanë kërkuar ndihmën e avokatëve, që lënda të dërgohet në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

“Po ashtu zbatimi i akt gjykimit  të kushtetues për ne në Deçan është i papranueshëm, i padrejtë, antiligjor dhe antikushtetues. Zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për prona është sulmi më i madh që i është bërë rendit juridik dhe kushtetues shtetësisë dhe sovranitetit të Kosovës. Ne përpjekjet tona nuk do  t’i ndalim dhe qysh sot kemi kërkuar ndihmën e juristeve e avokatëve më të mirë që lënda të trajtohet  dhe të përgatitet në gjykatën e të drejtave të njeriut në Strasburg”, u shpreh ai.

Go to TOP