Kosova

Vendimi i 11 milionë eurove për veriun, Lekaj: Qeveria nuk ka potencial të ndëshkojë shkelësit e ligjit

Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka thënë se nuk është i pranueshëm vendimi i Kuvendit të Kosovës për pagesën e shpenzimeve të energjisë elektrike të qytetarëve në komunat veriore.

Lekaj me anë të një konference për media në hollin e Kuvendit ka deklaruar se Qeveria e Kosovës nuk ka potencial për të ndëshkuar shkelësit e ligjit, duke paguar shumën prej 11 milionë eurove për shpenzimet e rrymës të qytetarëve të komunitetit serb në veri të vendit.

“Sot, Kuvendi i Kosovës ka marrë një vendim jo fort të pranueshëm për qytetarët e Kosovës, propozimi që shuma prej 11 milionë eurove që duhet të paguajnë qytetarët e Kosovës për qytetarët e komunave në veri të vendit që kaloi javën e kaluar nga deputetët e LVV-së në Komisionin për Ekonomi. Kjo është tepër e habitshme edhe pas arritjes së pavarësimit energjetik Qeveria e Kosovës është duke u shantazhuar nga serbët, pos dëmit financiar që do të shkaktohet në buxhetin e vendit që ndërtohet nga kontributet e qytetarëve, janë duke u krijuar edhe një sërë dëmesh të tjera zinxhirore”.

“Qeveria Kurti po pajtohet se nuk ka potencial të ndëshkojë shkelësit e ligjit që e keqpërdorin rrymën, kjo rezulton edhe në rritjen e kostos së operimit obligohemi të blejmë energji kur ajo nuk mjafton për të përballuar kërkesat. Qeveria me këtë vendim po e dëshmon se nuk ka kapacitet dhe guxim ta zbatojë ligjin në mënyrë efektive në të gjithë territorin e Kosovës dhe as të vazhdojë me integrimin e pjesës veriore të saj”, ka thënë Lekaj.