Kosova

VENDIM/ Prej nesër pritet të kufizohet lëvizja e lirë e qytetarëve dhe automjeteve

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të ndalojë qarkullimin për qytetarë dhe automjete me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit.

Kosova deri më tani ka mbi 30 raste të konfirmuara me Covid-19, dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të virusit, qeveria ka marrë masa që të ndalohet qarkullimi i veturave dhe qytetarëve në këto orare: Nga ora 10:00 e mëngjesit deri në ora 16:00 pasdite dhe prej orës 20:00 në mbrëmje deri në ora 06:00 në mëngjes.

Vendimi është votuar në mbledhjen e qeverisë e cila është mbajtur në formë virtuale.

Të dielën këto masa i kishte kërkuar ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Vendimet e Qeverisë

I. Ndalohet qarkullimi i qytetarëve dhe automjeteve private nga 24 mars 2020 gjatë orës 10:00 – 16:00 dhe prej orës 20:00 – 06:00, përveq për nevoja mjeksore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale (ushqim dhe barna për njerëz dhe kafshë/shpezë), dhe për shërbime dhe aktivitete që ndërlidhen me menaxhim të pandemisë (menaxhmenti dhe personeli esencial qeveritar dhe komunal nga këta sektorë: shëndetësi, siguri dhe administratë shtetërore);

II. Mundësohet qarkullimi i lirë për operatorët ekonomik të klasifikuara si me të rëndësishme sipas kodeve NACE që Ministria e Ekonomisë, Punës, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike lejon të operojnë në këtë periudhë emergjente lidhur me pandeminë COVID -19, si dhe transporti i lirë i mallrave/shërbimeve për të siguruar funksionimin e zinxhirit të furnizimit;

III. Lëvizjet në rrugë bëhen jo më shumë se nga dy persona së bashku dhe gjithmonë duke mbajtur distancën dy metra me të tjerët;

IV. Ndalohen tubimet në të gjitha mjediset — private dhe publike, të hapura dhe të mbyllura — përveç kur është e domosdoshme për të kryer detyrat e punës për parandalim dhe luftim të pandemisë, si dhe ku lejohet distanca dy metra me të tjerët. Në rast të vdekjeve, në varrim mund të marrin pjesë vetëm anëtarët e ngushtë të familjes së të vdekurit dhe personat që kryejnë shërbimin e varrimit;

V. Obligohen Institucionet e Qeverisë së Republikës së Kosovës të ndërmarrin veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij Vendimi.

VI. Vendimi hyn në fuqi ditën e nënshkrimit.