Bota

Vendi pa rrymë e pa ujë, senatori i Teksasit “ia therr” për pushime në Meksikë

Senatori i Teksasit, Ted Cruz, shkoi me familje për pushime në Meksikë në kohën kur vendi i tij po përballet me një stuhi të ashpër dimërore, e cila ka lënë miliona njerëz pa energji elektrike dhe ka shkaktuar probleme në rrjetin e furnizimit me ujë të pijes.

Cruz tha të enjten se ka planifikuar një udhëtim me vajzat e veta duke thënë se dëshiroi të bëhej baba i mirë, por ka vendosur të kthehet sepse iu duk që kjo nuk ishte në rregull, shkruan BBC, transmeton Gazeta Exoress.

Fotografitë e ligjvënësit republikan në një aeroport të mërkurën nxitën shumë raportime në medie se zyrtari e ka lënë Teksasin në kohën kur vendi po përballet me krizën e energjisë. Ai u kritikua për këtë veprim në kohën kur në Teksas është shpallur gjendja emergjente.

“Njerëzit në Teksas po ngrihen për vdekje dhe prapë Ted Cruz shkoi për pushime në Cancun”, shkroi kongresistja demokrate, Pramila Jayapal.

Cruz tha se pasi shkollat janë mbyllur, ai e rezervoi udhëtimin për pushime me vajzat që i kishin kërkuar udhëtim me shoqet.

Senatori tha se ai vetë dhe stafi i tij janë në komunikim të vazhdueshëm me zyrtarët lokalë dhe shtetërorë për gjendjen në Teksas.

Cruz nuk kërkoi falje për udhëtimin e bërë në kohën e gjendjes emergjente në Teksas, por më vonë në një intervistë tha se ky veprim ishte gabim.