KosovaTema e Ditës

Vendi nuk do të destabilizohet, nëse konfirmohet aktakuza ndaj Thaçit

Ka katër ditë që Hashim Thaçi, President i Republikës së Kosovës, është duke u intervistuar nga Zyra e Prokurorit Special në Hagë. Ndërsa presidenti po përballet atje me drejtësinë, në opinionin publik kanë filluar të artikulohen pyetjet e tipit: Çka nëse aktakuza ndaj tij konfirmohet? Çka pas dorëheqjes? Analistë dhe njohës të çështjes, konsiderojnë që republika do t’ia dalë ta menaxhojë situatën edhe kësaj radhe… – shkruan Kosova.info

“Petkun shtetëror” me të cilin Presidenti Hashim Thaçi ka udhëtuar për në Hagë,  do ta zhveshë, po qe se i konfirmohet aktakuza. Kështu të paktën ka premtuar ai vet, para udhëtimit. Mirëpo akti i zhveshjes së këtij petku, do të prodhojë situatë të re politike në vend. Implikimet e drejtpërdrejta, do të kërkojnë zgjidhje të reja, por destabilitet politik nuk do të ketë – shprehen të bindur njohësit e zhvillimeve politike në vend.  

Imer Mushkolaj

“Shoqëria dhe institucionet në Kosovë kanë aq pjekuri, sa të menaxhojnë si duhet çfarëdo përpjekje për destabilizim, nga kushdo qoftë. Destabilizimi në këtë kohë do të ishte një dëm i madh për vendin” – tha për Kosova.info gazetari Imer Mushkolaj.

Për efektet e dorëheqjes së mundshme të Thaçit, mendime të përafërta kanë edhe analistët politikë Albinot Maloku e Driton Smakaj, si dhe Albert Krasniqi nga Demokracia Plus.

Albinot Maloku

“Së pari” – sipas Malokut, me aktin e “lajmërimit për inicimin e një aktakuze nga Dhomat e Specializuara, pa e bërë të njëjtën të plotfuqishme, kjo Gjykatë e ka komprometuar punën dhe ekzistencën e vet. Ndërsa, në anën tjetër edhe Hashim Thaçi do të duhej te epte dorëheqje nga pozita e Presidentit para se të kalonte përtej rrethojës me grila të ndërtesës së kësaj Gjykate të Kosovës, e cila selinë e saj e ka Hagë. Përndryshe, përtej kësaj, unë nuk shoh asnjë arsye të ketë destabilizim të vendit nëse konfirmohet aktakuza e iniciuar”.

Driton Smakaj

Edhe Smakaj u shpreh se “nuk besoj që do të ketë” destabilizim, ndërsa Mushkolaj ritheksoi rëndësinë e ballafaqimit ligjor me pretendimet e ngritura nëpërmjet aktakuzës, nëse ajo konfirmohet:

“Nëse aktakzua konfirmohet, të akuzuarit duhet t’i përgjigjen procesit gjyqësor dhe të dëshmojnë të kundërtën e pretendimeve të ngritura.”

Albert Krasniqi

Ndryshe nga të parët, Albert Krasniqi vë theksin te faza në të cilën ndodhet ky proces. Duke u nisur nga analizimi i kësaj situate, ai nxjerr përfundimin, po ashtu, të ngjashëm:

“Në këtë fazë, z. Thaçi është vetëm i dyshuar pasi aktakuza ende nuk është konfirmuar nga Gjyqtari i procedurës paraprake, procedurë kjo që mund të zgjasë deri në fund të muajit tetor të këtij viti. Kjo aktakuzë e dorëzuar nga Prokurori mund të hidhet poshtë në tërësi, mund të konfirmohet pjesërisht, të kërkohen plotësime, apo të konfirmohet në tërësi. Përderisa nuk ka konfirmim të aktakuzës, z. Thaçi ka deklaruar se do të mbajë postin e Presidentit dhe se dorëheqje do të jap vetëm në rast të konfirmimit të aktakuzës. Udhëheqësit institucional të Kosovës janë përballur edhe më herët me procese të tilla gjyqësore, siç është ai i ish-Kryeministrit Haradinaj i cili kishte lënë postin e tij për të shuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, dhe se vendi nuk ishte rrezikuar nga kriza institucionale apo destabilizim. Edhe në rast të konfirmimit të aktakuzës ndaj z. Thaçi nuk shoh një rrezik të tillë për krizë politike apo destabilizim.”

A do të duhej që vendi të shkonte në zgjedhje të parakohshme, në rast se konfirmohet aktakuza?

Për Mushkolajn “Rilegjitimimi i votës së secilit subjekt politik do të duhej të kishte ndodhur që para krijimit të qeverisë aktuale. Nëse aktakuza konfirmohet dhe presidenti Thaçi dorëhiqet, partitë politike do të bëjnë përpjekje që ta zgjedhin një president tjetër, pa pasur nevojë për zgjedhje të reja.”

Mbi të gjitha, për të është e rëndësishme që “partitë në pushtet dhe ato në opozitë do të duhej të bashkëpunonin karshi platformës për dialogun, një proces në të cilin ndikojnë shumë zhvillimet e fundit. Por, ruajtja e stabilitetit institucional e shoqëror duhet të jetë prioritet dhe asnjë nga partitë politike nuk duhet ta ketë luksin që të kontribuojë në çfarëdo mënyre për rrezikimin e stabilitetit.”

Edhe për Malokun, zgjedhjet e parakohshme, janë të pashmangshme, në rast të konfirmimit të aktakuzës:

“Vendi patjetër që do të duhej të shkonte në zgjedhje menjëher pas votimit të mosbesomit të Qeverisë Kurti! Zgjedhjet janë mëse të nevojshme për plotësimin e demokracisë në vend. Qeveria aktuale nuk është produkt i një procesi zgjedhor të praktikave që njeh vendi.” Kjo sipas Malokut është shumë me rëndësi meqë sipas tij “një proces zgjedhor i cili do të prodhonte qeveri e institucione përfaqësuese të qytetarit. Ky është rekomandimi. Kosovës nuk i duhet një qeveri e rrugëve anësore dhe as një president i këtillë.”

Për Krasniqin, po qe se Thaçi detyrohet të jap dorëheqje, do të vijnë në shprehje disa skenarë:

“Në rast se posti i presidentit mbetet vakant si pasojë e dorëheqjes së z. Thaçi, atëherë Kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani-Sadriu, mund ta ushtrojë këtë detyrë për një periudhë jo më shumë se gjashtë muaj. Se a do të zgjidhet një president i ri nga legjislatura ekzistuese e kuvendit, apo ndoshta kuvendi do të shpërndahet, nëse dështohet të zgjidhet presidenti brenda 60 ditëve – që nga dita e nisjes së procedurave, është çështje e vullnetit të deputetëve dhe partive politike parlamentare. E mira do të ishte që vendi të ketë një president që do të ishte një zgjidhje si rezultat i një kompromisi më të gjerë politik, që më të vërtetë do të shërbente si figurë unifikuese, sidomos në këtë kohë të polarizimit të madh politik, të emergjencës shëndetësore si pasojë e pandemisë COVID-19, dhe procesit të dialogut me Serbinë që po hyn në një fazë vendimtare.”

Po ashtu, sipas tij, aktualisht nuk mund të flitet për një “hendek institucional”, por:

“Një hendek i tillë mund të krijohet nëse partitë politike nuk gjejnë konsensus për zgjedhjen e Presidentit të Ri në rast se Presidenti Thaçi jep dorëheqje. Një alternativë e mundshme është që PDK të propozojë kandidatin e ri për president. Për rrjedhojë, ky propozim do ta kërkonte përkrahjen nga partitë politike që janë në pushtet. Në këtë rast, PDK nuk do të përfshihej në qeveri, por që do të jepte besimin për qeverinë në rast të ngritjes së mocioneve të mosbesimit, si dhe do të votonte për ligje që janë jetike për qeverinë, siç është Ligji për Buxhetin. Në praktikën parlamentare të Uestminsterit kjo njihet edhe si besim-dhe-mbështetje.”

Për ta shmangur çfarëdo skenari që do ta thellonte krizën në vend, rruga më e mençur për Driton Smakajn do të ishte “zgjedhja e një presidenti tjetër”, në mënyrë që “të mos shkohet në zgjedhje” të cilat mund t’i shpenzonin energji republikës.

Por ky kontekst i krijuar, i ka spikatur ambiciet e liderëve dhe parive vendore, që sipas Smakajt, po shikojnë të përfitojnë nga situata: “Çka po shihet nga reagimet publike, partitë politike do të shfrytëzojnë këtë terren për përfitime të tyre e jo të vendit. Qofsha i gabuar!”

Prandaj sipas tij “veprimi më i arsyeshëm do të ishte të bëheshin bashkë në një platformë që e tejkalon këtë situatë.”

Presidenti Hashim Thaçi

Të ua kujtojmë se “maratona” e intervistimit të Presidentit Thaçi në Hagë, ka hyrë në ditën e katërt të saj. Aktakuza e ngritur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar kundër tij, u publikua pak kohë më parë, ndërsa ende nuk është konfirmuar nga Gjykata Speciale. Ajo ka të bëjë me pretendime për kryerjen e krimeve të luftës, përkatësisht kryerjen e krimeve kundër njerëzimit, pretendime këto të cilat Thaçi i ka hedhur poshtë që në krye të herës./Kosova.info/

Shfaq më shumë