Bota

Vendet e rajonit solidarizohen me Turqinë pas tërmetit të fuqishëm

Krerët shtetërorë të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, kanë reaguar pas tërmetit të fuqishëm në Turqi duke shprehur ngushëllime dhe solidaritet me Turqinë dhe popullin turk.

Krerët shtetërorë të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Kosovës kanë reaguar pas tërmetit të fuqishëm në Turqi duke shprehur ngushëllime dhe solidaritet me Turqinë dhe popullin turk, raporton Anadolu Agency (AA), transmeton Kosova.info.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka reaguar për tërmetin në Turqi, ku thekson se në këto momente tepër të vështira, populli shqiptar është në krah të Turqisë mike.

Meta, në reagimin e tij në rrjete sociale shprehet se me shqetësim dhe dhimbje të thellë po ndjek situatën në Turqinë mike, të goditur nga tërmeti tragjik.

“Shumë i tronditur nga viktimat në njerëz, ju shpreh ngushëllimet më të ndjera familjarëve e të dashurve të tyre, të gjithë popullit turk dhe Presidentit Recep Tayyip Erdoğan, duke u lutur që të mos ketë të tjera humbje jetësh. Të gjithë të lënduarve nga kjo fatkeqësi natyrore ju uroj shërim sa më të shpejtë”, shkruan Meta.

Presidenti i Shqipërisë më tej shprehet se “Në këto momente tepër të vështira, unë dhe populli shqiptar jemi në krah të Turqisë mike”.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar për tërmetin në Turqi, duke shprehur solidaritet për popullin turk.

“Shumë e trishtueshme fatkeqësia që ra mbi Turqinë mike prej një tërmeti të rëndë, ku janë shënuar edhe jetë të humbura. I jemi pranë popullit turk dhe lutemi që Zoti t’u japë autoriteteve të vendit dhe Presidentit Recep Tayyip Erdoğan të gjithë forcën për ta përballuar këtë tragjedi”, ka shkruar Rama në rrjetet sociale.

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, nëpërmjet një mesazhi solidariteti ka reaguar për tërmetin në Turqi.

“Në këto momente të rënda, shpreh mbështetjen e Kuvendit të Shqipërisë dhe timen personale, ndajmë dhimbjen me popullin turk dhe familjet e viktimave dhe u urojmë shërim të shpejtë të lënduarve. Shprehim mbështetjen e solidaritetin e plotë me Presidentin Erdoğan sepse goditjet e natyrës përballohen më lehtë e më shpejt bashkërisht”, shkruan Ruçi në mesazhin e tij.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas tërmetit mbrëmjen e së premtes në Turqi, ka thënë se Kosova është e gatshme t’i ndihmojë Turqisë me ndihmë të menjëhershme operative.

Thaçi pas tërmetit vdekjeprurës në Turqi tha se “zemrat tona janë me familjet e viktimave dhe atyre që u lënduan nga tërmeti që goditi qytetin Elazığ”, duke shtuar se Kosova është e gatshme të ofrojë ndihmë.

“Kosova është e gatshme të dërgojë ndihmë të menjëhershme operative, pasi ne qëndrojmë pranë njerëzve dhe Qeverisë së Turqisë në këto momente tragjike”, ka shkruar Thaçi në Twitter.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shprehur ngushëllime për qytetarët dhe familjet e viktimave të prekur nga tërmeti vdekjeprurës që ndodhi mbrëmë në pjesën lindore të Turqisë.

Haradinaj nëpërmjet një shkrimi në rrjetet sociale tha se “me shqetësim mora lajmin për tërmetin që goditi qytetin Elazığ të Turqisë”.

“Shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta ndaj shtetit turk, qytetarëve dhe familjeve të viktimave si dhe ju dëshirojmë shërim të shpejtë të gjithë të lënduarve nga kjo ngjarje tragjike. Mendimet dhe lutjet e mia janë me të gjithë qytetarët atje”, ka shkruar Haradinaj.

Ai pasi ka shprehur ngushëllim për familjarët e viktimave dhe qytetarët e Turqisë, dhe ka thënë se Kosova është e gatshme t’i vihet në ndihmë shtetit turk, në ndihma humanitare e operacionale.

Gjithashtu ka reaguar edhe zëvendëskryeministri në detyrë, Behgjet Pacolli, njëherësh ministër i Jashtëm, i cili tha se Kosova është e gatshme të dërgojë trupa të Forcës së Sigurisë së Kosovës për të ofruar ndihmë në zonat e prekura nga tërmeti.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski dhe kryeministri, Oliver Spasovski u kanë shprehur ngushëllime familjeve të personave të pësuar gjatë tërmetit në Turqi.

“Shpreh ngushëllime të thella deri te familjet dhe të afërmit e personave të vdekur gjatë tërmetit në Turqi. Solidarizohemi me Turqinë dhe popullin turk”, u shpreh presidenti Pendarovski në rrjetet sociale.

Po ashtu edhe kryeministri Oliver Spasovski u solidarizua me popullin turk dhe u shpreh se janë të gatshëm të ndihmojnë.

“Shprehim mbështetje dhe solidarizim të fuqishëm me Turqinë dhe popullin turk. Ngushëllime për familjet e të pësuarve në tërmetin e tmerrshëm. Mendimet tona sonte janë me qytetarët e Turqisë. Jemi të gatshëm të ndihmojmë”, tha kryeministri Spasovski në rrjetet sociale.Nga tërmeti me magnitudë 6,8 ballë që goditi mbrëmjen e së premtes pjesën lindore të Turqisë humbën jetën 22 persona ndërsa mbi 1.000 të tjerë janë plagosur.AA/ Kosova.info.