Bota

Vendet arabe kundër Iranit, e mbështesin vazhdimin e sanksioneve

Këshilli për Bashkëpunim i Gjirit përmes një letre dërguar në Kombet e Bashkuara, ka dhënë pëlqimin për zgjatje të embargos së armëve ndaj Iranit.

Embargoja përfundon në muajin tetor dhe Shtetet e Bashkuara janë duke bërë trysni që Këshilli i Sigurimit sa më parë të miratojë një rezolutë për të zgjatur afatin e saj.

Shtetet arabe që përbëjnë këshillin – Bahrejni, Kuvajti, Omani, Katari, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe – e dërguan letrën më 9 gusht.

Letra, e nënshkruar nga Sekretari i Përgjithshëm, Nayef al-Hajraf, thotë se që kur u nënshkrua marrëveshja bërthamore midis Iranit dhe superfuqive më 2015, “Irani nuk ka pushuar ose hequr dorë nga ndërhyrjet e armatosura në vendet fqinje, direkt dhe përmes organizatave dhe lëvizjeve të armatosura dhe trajnuar nga Irani “.

“Prandaj do të ishte e papërshtatshme të hiqni kufizimet derisa Irani të braktisë aktivitetet e tij destabilizuese në rajon dhe të pushojë së siguruari armë për organizatat terroriste dhe sektare”, thuhet në letër.

Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme iraniane, Abbas Mousavi e quajti letrën “të papërgjegjshme, që u shërben interesave të SHBA-së”, njoftoi televizioni shtetëror iranian.

Kombet e Bashkuara e ndaluan Iranin të blinte sisteme të mëdha armësh të huaja më 2010 në mes të tensioneve për programin e tij bërthamor.

Embargoja e ka ndaluar Iranin të blejë armë konvencionale si avionë luftarakë, tanke dhe anije luftarake.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka paralajmëruar se nëse lejohet që kjo embargo të skadojë, atëherë do të destabilizohej më tej Lindja e Mesme; do t’i vinte Izraelin dhe Evropën në rrezik dhe do të rrezikonte jetët e njerëzve në SHBA.

Shtetet e Bashkuara do të kërkojnë këtë javë një votim në Këshillin e Sigurimit për të zgjatur embargon, tha Pompeo.

Nëse Këshilli i Sigurimit nuk e pengon Iranin të blejë dhe të shesë armë, Uashingtoni ka thënë se do të shkaktojë një “kthim të shpejtë” të të gjitha sanksioneve të Kombeve të Bashkuara ndaj Iranit. \ REL

Leave a Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.