Kombëtare

Vëllezërit shqiptaro-amerikanë Muja investojnë në vendlindje

Pas investimit disa vjeçar në ShBA, vëllezërit Muja janë kthyer në vendlindjen e tyre në Tropojë duke investuar në industrinë e nxjerrjes së kromit në zonën mineralmbajtesë të Bytyçit. Qëllimi jonë, thotë Sahiti, është t’i kthejmë vendlindjes atë që i kemi borxh.

Ne jemi rrit në këtë zonë, qëllimi jonë kur kemi ikë në Amerikë ka qenë që të sjellim të mira për familjen. E pamë që mundësia në Shqipëri është shumë e madhe për industrinë minerare. E kemi studio me shumë vëmendje. Punume shumë në Amerikë, sollëm djersën tonë në këtë vend të bekuem dhe kemi ba të mundun që të punësojmë të gjithë njerëzit në këtë zonë, me kushte jashtëzakonisht të mira pune. Ky është një qëllim që t’i kthejmë Shqipërisë ate që i kemi borxh. Si djem të kësaj toke, t’i kthejmë investimet, paret e fituara me djersë, me dinjitet në Amerikë dhe të bajmë të mundun zhvillimin e kësaj zone minerare.

Miniera e kromit në Zogaj gjendet rreth 60 kilometër larg qytetit Bajram Curr. Sahit Muja, i ciii drejton kompaninë “Albanian Minerals”, thotë se gjatë dhjetë viteve të fundit kompania ka investuar shumë në shfrytëzimin dhe zhvillimin e minierave në zonën e bytyçit si dhe në zbulimin e rezervave të reja. Vetëm në minierën e Zogajve deri tani kompania ka prodhuar rreth 1 milion ton mineral kromi.

Asht një mineral që i ka sjellë kombit shqiptar miliarda dollarë, do t’i sjellë kombit shqiptar të ardhura për mijëra vitet që po vijnë. Me investimet që po bajmë, janë investime për të ardhmen se po zbulojmë kromë, po hapim miniera të reja. Asht një mineral që ka një randësi jashtëzakonisht të madhe ekonomike, po edhe politike. Nuk ka në Europë krom, nuk ka Amerika krom, nuk ka Kina krom. Ne kemi kromin ma cilësor në botë. Na forcon ne si shqiptar pozicionin tonë ekonomik, gjithashtu edhe politik. Në vendin ku operojmë të gjithë janë të punësum, me kushte jashtëzakonisht të mira, me një orar 4-5 orë në ditë, me rrogat ma të mira të rajonit dhe do të sjellim më shumë zhvillim kur e gjithë kjo sasi kromi do të vihet në punë dhe do të bëhen produkte nga kromi i Shqipërisë.

Në kompaninë e vëllezërve Muja janë punësuar edhe një numër inxhinierësh dhe specialistësh që drejtojnë punën në miniera dhe në procesin e zbulimit të vendburimeve të reja. Inxhinieri gjeolog Stak Vukaj, me një përvojë 40 vjeçare, thotë se masivi mineralmbajtës i Tropojës, prej 440 kilometrash, është më i madhi në Shqipëri dhe se miniera e Zogajve, e vëllezërve Muja është pjesë e rëndësishme e këtij masivi.

Jemi në këtë pjesë që administrohet nga vëllezërit Muja, shqiptaro-amerikanë, të ardhur me një vullnet shumë të madh, të cilët kanë gjetë një gjuhë shumë të mirë edhe me punonjësit edhe për thithjen e specialistëve. Dhe sot kanë arritur të mbajnë një ekuilibër të plotë në zërin e punimeve; punimeve kapitale, punimeve përgatitore, punimeve të shfrytëzimit dhe të nxjerrjes. Miniera dhe drejtuesit i kanë kushtuar shumë kujdes punonjësve dhe plotësimit të kushteve si dhe rritjes së mekanizimit. Kemi arritë deri në 350 ton në ditë vetëm nga nëntoka pa përjashtu mbi 2 mijë ton nga sipërfaqja.

Zona mineralmbajtëse e Bytyçit, në rrethin e Tropojës, ku gjenden minierat e Pacit, Kamit, Kepenekut dhe Zogajve, përshkohet nga një rrugë e paasfaltuar, me gjatësi rreth 20 kilometër, hapur që në vitin 1928. Banorët dhe specialistët thonë se minierat e kësaj zone po i sjellin shtetit përfitime të mëdha ndaj investimi për asfaltimin e rrugës është i nevojshëm.

Nuk asht problemi vetëm për komunitetin e Zogajve, por janë edhe Hasi tuj hangër bukë në këtë minierë. Du me thanë se na ka dhanë ndihmë shumë të madhe si firmë. Po të mos ishte kjo do të ishte gjendja shumë katastrofë se papunësi shumë e madhe asht këtu.

Kemi një rrugë , asht e bame Kam-Qafë Prush qysh në 39, e ka ba italiani, por nuk asht vu dorë fare sa edhe njerëzit, kur na vijnë mysafir, dalim dhe i marrin me makina se nuk mund t’i fusin makinat e tyne këtu.

Zoti Muja thotë se, prej 5 vitesh, kompania ka sjellë shkencëtarë nga Japonia, Gjermania, Amerika, Polonia dhe Kina për të zbulua minerale të tjera në këtë zonë. Kjo ka mundësuar zbulimin e rezervave të konsiderueshme të kromit me përqindjen më të lartë në botë si dhe të mineralit të magnezit, çka përbëjnë një perspektivë të madhe jo vetëm për kompaninë.

Synimi jonë për të ardhmen është të prodhojmë, të bëjmë produkte nga kromi, magnezi, titani, këtu në Shqipëri. Të prodhojmë, të punësojmë shqiptarët . Kjo është toka më e pasur në Europë për kilometra katrore. Të kthejmë punën, t’i kthejmë dinjitetin shqiptarëve, të mos shkojmë rrugëve që të kërkojmë punë, por të punojmë këtu, me rroga ma të mira se perëndimi, ta zhvillojmë këtë industri në maksimum.

Vëllezërit Muja thonë se kanë ardhur në Shqipëri me moton për të kontribuar për vendlindjen dhe jo për të përfituar nga shteti shqiptare, të cilit nuk i kanë kërkuar asnjë ndihmë financiare, por vetëm mbështetje me infrastrukturën dhe krijimin e një klime të mirë për biznesin.

Leave a Reply

Your email address will not be published.