Kombëtare

Veliu: Nominimi i Vjosa Osmanit vendim historik, jemi mobilizuar për fitore

Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, ka qëndruar sot në qytetin e Podujevës.

Nga atje Osmani ka marrë mbështetjen e fuqishme të nënkryetarit të partisë, i cili njëherit është edhe kryetar i Podujevës, Agim Veliut.

‘Përfaqësues të strukturave, më lejoni që në emrin tim dhe tuajin, t’i urojë mirëseardhje, kandidates tonë për kryeministre, zonjës Vjosa Osmani”, ka thënë Veliu në hyrje të fjalës së tij.

Veliu ka thënë se në betejat politike, Lidhja Demokratike e Kosovës gjithmonë në Llap ka dalë fitimtare.

Tutje Veliu ka thënë se Llapi gjithmonë ka ndjekur rrugën e presidentit historik të LDK-së, Ibrahim Rugovës, deklaratë kjo që është përcjellë me ovacione nga të pranishmit.

Ai ka thënë se Dega e LDK-së në këtë qytet është mobilizuar që të rrisë votën për kandidaten e LDK-së për kryeministre, duke e quajtur kështu nominimin e Osmanit si një momentum historik për LDK-në dhe Kosovën.

“Dega e Podujevës është angazhuar që të rrisë votën për kandidaten tonë për kryeministre dhe për deputetët që vijnë nga kjo pjesë. Nominimi i Vjosës për kryeministre shënon një momentum historik, si për LDK-në ashtu edhe për Kosovën”, ka thënë Veliu.

Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, duke falënderuar kryetarin Veliu dhe anëtarësinë e LDK-së, për pritjen e organizuar, tha se është e nderuar që gjendet në Llap, i cili gjithmonë ia ka kthyer shpresën Kosovës.

Ajo tha se ndjehet e lumtur që gjendet në Llapin ku i ka rrënjët familja e saj në Llap, kurse Llapi asnjëherë nuk ia ka kthyer shpinën rrugës së drejtë të Ibrahim Rugovës.

“Llapjanët nuk ia kthyen kurrë rrugës së drejtë që e çon Kosovën përpara. E, ajo është, siç e tha edhe kryetari Veliu, rruga e Ibrahim Rugovës.  Llapi ia ka kthyer shpresën Kosovës edhe në kohërat më të vështira. Në Llap i ka rrënjët edhe familje ime, jo vetëm rrënjët por edhe krahët. Llapi nuk ia ka kthyer shpinën kurrë rrugës së drejtë të Ibrahim Rugovës. Ishit ju llapjanët që i ndezët kushtrimin e mobilizimit të Ibrahim Rugovës.”

Ajo shtoi se as në kohërat më të brishta fitoren e LDK-së nuk ka mundur të rrezikojë askush, madje edhe kur presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova ishte i rrezikuar.

“Edhe në kohërat më të brishta askush nuk ka mundur ta ndal fitoren e LDK-së. Asnjëri nga ne nuk kemi harruar në çfarë gjendja ishim në atë kohë dhe nga kush rrezikohej Kosova. Por askush se kishte imagjinuar se Rugova pas kthimit të tij nga Italia kishte zgjedhur të vizitonte Llapin. Ai kishte shkuar për të nderuar Bradashin e Enver Malokut, Podujevën e Xhemajl Mustafës, Zahir Pajazitit e Hakif Zejnullahut.”

Osmani, në fjalimin i bëri thirrje elektoratit të Lidhjes Demokratike të ndezin kushtrimit për fitoren e shtetit ligjor, duke shtuar se ky ishte amanet i presidentit Rugova.

“Pra, ju të gjithë të ndezni kushtrimit për fitoren e shtetit ligjor, ku të rinjtë e të rejat e gjejnë vetën dhe nuk turpërohen nga liderët e vet”.

Ajo e ka quajtur Llapin kalanë më të pamposhtur që ka pasur LDK.

“Kjo kala e pamposhtur, duhet t’i japë jehonën e fitores gjithë Kosovës”, tha Osmani.