Kosova

Veliu: LDK ende nuk ka vendosur nëse do ta përkrah Thaçin të udhëheq bisedimet me Serbinë

Nënkryetari i parë i LDK-së, Agim Veliu, ka thënë se ende nuk kanë marrur qëndrim se a përkrahin apo jo presidentin Thaçi, si udhëheqës i negociatave me Serbinë.

Ai ka thënë se kryesia e Lidhjes Demokratike do të mblidhet për të vendosur rreth kësaj çështje.

“Presim të takohemi me kryesi. Ende nuk e kemi marrë qëndrim. Ndoshta nuk do të duhej me i udhëheq ai këto bisedime. Por, vendimi do të merret në kryesi të LDK-së”, ka thënë Veliu.

Veliu është shprehur se është idhtar që të respektohen ligjet dhe Kushtetuta, për atë se kush duhet tu prijë palës kosovare në bisedimet me Serbinë, e jo të jetë përcaktues emri i personit.

“Na jena shtet, dhe nuk mund të largohemi prej asaj që e thotë ligji dhe Kushtetuta, si janë të ndara përgjegjësitë dhe kompetencat. Jam idhtarë i kësaj”, ka thënë Veliu, për Insajderin.

Ai foli edhe deklarimet e deputetëve të Vetëvendosjes dhe Nismës Socialdemokrate, që presidentin Thaçin e kanë quajtur si person që i ka bërë dëme vendit.

Tha se nuk merret “me këso epitetesh”.

Përkundër Veliut, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, mbrëmë ka shkruar në Facebook se se LDK gjithmonë ka qenë unike dhe se sipas tij kjo do të tregohet edhe gjatë seancës së të hënës, ku pritet të sillet në Kuvend platforma e bisedimeve Kosovë-Serbi, duke mos e bërë të qartë vendimin e tyre.

“LDK-ja mbetet unike. Është dëshmuar në dhjetor të vitit të kaluar, në mars të këtij viti dhe do të dëshmohet prapë të hënën e javës që vjen. Rruga e LDK-së mbetet ruajtja dhe prosperimi i Republikes se Kosovës.

Mbi këtë parim LDK-ja i ndërton politikat e veta. Kushdo që provon të komprometoj proceset demokratike dhe rendin kushtetues në vend dhe ta bëjë plaçkë të vetën Republikën, do të hasë në restencën e LDK-së dhe të qytetarëve të vendit. Për këtë LDK-ja garanton fuqishëm, ashtu sic garanton për unitetin e saj të pa lekundur. E hëna do ta dëshmoj prapë këtë”, ka shkruar Hoti.

Të hënen Kuvendi i Kosovës pritet që ta votojë platformën e bisedimeve Kosovë-Serbi, dhe brenda kësaj platforme pritet që të propozohet edhe emri i Hashim Thaçit, si udhëheqës i dialogut me palën serbe.

Lëvizja Vetëvendosje, Partia Socialdemokrate (PSD) dhe Nisma Socialdemokrate e Kosovës, janë deklaruar hapur se vota e tyre do të jetë kundër kësaj platforme dhe kundër emërimit të Hashim Thaçit si kryenegociator. Kurse, deputetët e PDK-së dhe AAK-së, kanë bërë të ditur se votimi i tyre do të jetë pro kësaj platforme.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483