Kosova

Veliu: Albin Kurti më shkarkoi në koordinim me “shoqen” e tij, e dinte se ai veprim rrëzon qeverinë

Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, ka thënë se Vjosa Osmani pos që ka vazhduar të votojë e veprojë kundër vendimeve LDK-së ka lobuar që të gjejë sa më shumë persona brenda LDK-së që të dalin kundër qëndrimeve të LDK-së.

Veliu në “Debat Plus” thotë se personalisht ka qenë kundër koalicionit me LVV-në por sipas tij ishte vendim i organeve të partisë që ai të merrte dikasterin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Ministritë në atë kohë janë ndarë me njëfarë shorti dhe LDK ka menduar se unë mund të japë kontribut në atë resor pasi përfshihej edhe Administrata Publike. Unë për shkak të përvojës disavjeçare në krye të Komunës së Podujevës u përzgjodha në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme”, tha ai.

Nënkryetari i LDK-së thotë se Albin Kurti e ka ditur saktësisht se nëse shkarkohet bie qeveria.

“Shkaktari kryesor i rrëzimit të Qeverisë Kurti ishte vet Kurti. Shkarkimi im ishte vetëm një pretekst. Ai e ka ditur saktësisht se shkarkimi im e rrëzon qeverinë, këtë ndoshta e ka bërë në koordinim me shoqen e tij [Vjosa Osmanin]. Ai e ka ditur që LDK nuk mund ta pranojë këtë nënçmim”, tha ndër të tjera Agim Veliu.