Kombëtare

“Velania” në pritje të transportit publik

Është një nga lagjet më të mëdha në Prishtinë, por banorët e “Velanisë” nuk kanë qasje në transportin publik të kryeqytetit. 

Kjo është kërkesë e tyre prej vitesh, por riorganizimi i linjave të transportit nuk ka prekur këtë lagje.

Sipas banorëve, kjo është e padrejtë derisa thonë se kanë bërë kërkesa të vazhdueshme për një gjë të tillë, raporton KOHA.

Qytetarët krijimin e një linje për këtë lagje e shohin si të domosdoshme për shkak se u duhet të ecin deri tek stacionet më të afërta të lagjeve të tjera.

E ecjen sipas tyre nuk mund ta përballojnë qytetarë të moshuar të lagjes apo edhe fëmijët derisa thonë se nuk mungon as rreziku shkaku i shpejtësisë së automjeteve.

Shpresojnë se bashkë me rregullimin e infrastrukturës së lagjes do të intervenohet edhe në këtë drejtim.

Përmes një përgjigjeje me shkrim Drejtoresha për Shërbime Publike në Komunën e Prishtinës, Medina Braha, ka thënë për televizionin se ende komuna nuk ka përcaktuar të gjitha vendndaljet.

‘’Transportuesit privatë dhe publik mendohet të integrohen në një sistem. Mirëpo, nuk ka akoma ndonjë vendim për këtë pasi që akoma nuk janë përcaktuar të gjitha vendndaljet’’, është shprehur ajo për “038”.

Banorë të ‘’Velanisë’’ deri në zgjidhjen e këtij problemi thonë se detyrohen të gjejnë alternativa të tjera për qasje drejt qendrës së qytetit.

Këtu përfshihen veturat e tyre private apo edhe shërbimet e taksive që sipas tyre të dy këto opsione janë të papërballueshme ekonomikisht në baza ditore.

Lini një Përgjigje

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.