Kosova

“Vdesin” juridikisht dy pika të aktakuzës për Fondin e 3-përqindëshit

Pak më shumë se një vit ka kohë Gjykata Themelore në Prishtinë të përfundojë gjykimin e aktakuzës së ngritur për dyshime për keqpërdorime për Fondin e 3-përqindëshit. Në aktakuzën e ngritur në vitin 2017 të akuzuar janë ish-kryeministri në ekzil, Bujar Bukoshi, asistenti i tij, Atdhe Gashi, e ish-deputeti i LDK-së, Naser Osmani.

Nga kjo aktakuzë ka mbetur vetëm një vepër penale për t’u gjykuar në këtë rast. Kjo pasi që janë parashkruar disa vepra penale për të akuzuarit. Parashkrimi ose vjetërsimi i lëndës bëhen në ato raste kur sistemi i drejtësisë nuk arrin ta përfundojë një lëndë para kalimit të dyfishit të kohës së paraparë për dënim për veprën penale që akuzohet personi.

Për dy të akuzuarit, Naser Osmani e Atdhe Gashi, vjetërsimi ka ndodhur për pikën 3 dhe pikën 5 të aktakuzës.

“I pandehuri Naser Osmani në periudhën kohore prej vitit 2008 -2013, në cilësinë e personit të punësuar në UFORK me qellim të shmangies pjesërisht apo tërësisht të pagesës së tatimit, tarifave apo kontributeve të tjera që kërkohen me ligi, nuk i ka përfshirë të dhënat lidhur me të ardhurat e tij të fituara përmes transaksioneve, në emër të pagave dhe të hyrave të tjera, i njëjti ka qenë i obliguar që këto të ardhura t’i deklarojë në Administratën Tatimore të Kosovës, shuma e shmangies nga i pandehuri dëmtimi i buxhetit të ATK-së – Republikës së Kosovës është 3,510.00 euro, me këtë ka kryer veprën penale shmangie nga tatimi nga neni 249 par. 1 të Kodit të vjetër Penal si ligj më i favorshëm (KPK)”, thuhet në aktakuzë.

Pasi që kjo vepër dyshohet se është kryer në vitin 2013, atëherë i bie që është vjetërsuar në vitin 2019.

Kjo pasi që në Kodin e Vjetër Penal kjo vepër ka qenë e dënueshme me tre vjet. Prej kohës kur është kryer kanë kaluar disa muaj më shumë se gjashtë vjet. Vjetërsimi i veprës penale bëhet kur kalon dyfishi i kohës së dënimit. Nga 2013 deri tani kanë kaluar gati shtatë vjet.

Edhe të akuzuarit, Atdhe Gashi i ka “vdekur” juridikisht një pikë e akuzës.

“I pandehuri Atdhe Gashi në peruidhën kohore prej vitit 2008- 2013, në cilësinë e personit të punësuar në UFORK, me qëllim të shmangies pjesërisht apo tërësisht të pagesës së tatimit, tarifave apo kontributeve të tjera që kërkohen me ligi, nuk i ka përfshirë të dhënat lidhur me të ardhurat e tij të fituara përmes transaksioneve, në emër të pagave dhe të hyrave të tjera, i njëjti ka qenë i obliguar që këto të ardhura t’i deklarojë në Administratën Tatimore të Kosovës, shuma e shmangies nga i pandehuri është 2,667.30 euro, me këtë ka kryer veprën penale shmangie nga tatimi nga neni 249 par. 1 te Kodit të Vjetër Penal si ligj më i favorshëm (KPK)”, thuhet në aktakuzë.

Edhe kjo pikë e aktakuzës i bie që e ka kaluar dyfishin e kohës së dënimit në fund të këtij viti, e që rrjedhimisht është e vdekur juridikisht për t’u gjykuar.

Procesi i gjykimit është duke u zhvilluar vetëm në një pikë të aktakuzës për të akuzuarit Atdhe Gashi e Naser Osmani. Sistemi i drejtësisë i ka rreth një vit kohë që të përfundojë gjykimin e këtij rasti për t’i ikur parashkrimit të veprës penale, shpërdorim i detyrës zyrtare e që është e dënueshme me tre vjet.

Përveç Gjykatës Themelore, kjo lëndë për t’u mos u vjetërsuar duhet të përfundojë edhe në Gjykatën e Apelit në rast ankimimi deri në vitin 2021.

Për dallim nga Gashi e Osmani që janë duke u gjykuar, gjykimi nuk ka filluar ende të mbahet për Bujar Bukoshin.

Kjo pasi që avokati i Bukoshit ka kërkuar nga gjykata veçimin e rastit kundër tij për shkak të gjendjes shëndetësore – kërkesë të cilën gjyqtarja e ka aprovuar.

Në këtë aktakuzë janë të përfshira pagesat e vetëm të një periudhe kur ka qenë funksional Fondi.

Dyshimet për shpërdorim dhe abuzim me Fondin e 3-përqindëshit para vitit 2008 ligjërisht nuk do të mund të ndiqen asnjëherë më. Kjo për shkak se Prokuroria Speciale e ka kufizuar periudhën e hetimit prej vitit 2008 deri më 2015.

Aktakuza kundër ish-kryeministrit në ekzil, Bujar Bukoshi, asistentit të tij, Atdhe Gashi, e deputetit të LDK-së, Naser Osmani, është dërguar në gjykatë më 2017. Dëmi i pretenduar i Prokurorisë së Shtetit është mbi 150 mijë euro. Fondi, sipas përgjegjësve, kishte vlerë qindra miliona euro. Përveçse ligjërisht është i pamundur çfarëdo hetimi tjetër për Fondin 3 për qind para vitit 2008, edhe veprat penale për të cilët ngarkohen tre të akuzuarit do të parashkruhen brenda disa muajsh.

Prokuroria Speciale, në aktakuzën që e ka siguruar Koha Ditore, ngarkon tre të akuzuarit me dy vepra penale. Veprat penale, sipas Kodit të Përkohshëm, që ishte në kohën e UNMIK-ut, me të cilën janë ngarkuar ish-menaxherët e këtij fondi, janë shpërdorim i pasurisë dhe shmangie nga tatimi.

Fondi i 3-përqindëshit ka qenë aktiv nga viti 1992 deri në 2006. Raportet financiare të këtij fondi me para të qytetarëve, që ishin destinuar për të mbajtur gjallë sistemin paralel të shëndetësisë dhe arsimit, nuk janë bërë publike asnjëherë. Edhe nëntë vjet pas vitit 2006 dyshohet se ish-kryeministri në ekzil, Bujar Bukoshi, përmes ish-këshilltarit të tij, Atdhe Gashi, e deputetit të LDK-së, Naser Osmani, kanë tërhequr para.

Fondi me buxhet prej qindra miliona markash, dollarësh e frangash të mbledhura për disa vite, sipas Prokurorisë Speciale, është dëmtuar nga Bukoshi, Gashi e Osmani për rreth 150 mijë euro.

“I pandehuri Bujar Bukoshi gjatë periudhës kohore 2008-2015, me qëllim për t’i sjellë vetes apo tjetrit dobi pasurore të kundërligjshme e ka përvetësuar pasurinë e luajtshme të personave të tjerë, e cila i është besuar atij, ashtu që qytetarët e Republikës së Kosovës, të punësuar jashtë Kosovës, kanë kontribuuar me mjete monetare në Fondin 3 për qind, duke parë nevojën për të ndihmuar Kosovën, e cila në atëkohë ishte në kushte të vështira ekonomike”, thuhet në aktakuzë.

Sipas aktakuzës, Bukoshi ka tërhequr gati 100 mijë euro pa dhënë arsyetim.

“Shumën prej 90.830 eurosh e ka tërhequr me para në dorë, të cilën shumë me asnjë dëshmi nuk e ka arsyetuar se për çfarë qëllimesh i ka shfrytëzuar”, thuhet në aktakuzë.

Me këto veprime, sipas pretendimeve të Prokurorisë Speciale, Bukoshi për këtë veprim akuzohet për veprën penale shpërdorim nga neni 257, paragrafi 2, i Kodit të Përkohshëm të UNMIK-ut.

Përveç kësaj shume, Bukoshi në bashkëkryerje me asistentin e tij, Atdhe Gashi, e deputetin aktual të LDK-së, Naser Osmani, sipas Prokurorisë, në tërësi për këtë periudhë kanë tërhequr 154 mijë euro.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.