Kombëtare

Vdes shqiptari hero që shpëtoi 70 grekë nga zjarret

Është ndarë nga jeta peshkatari me origjinë shqiptare, Kostas Arvanitis, i cili u kthye në hero në Greqi, pasi shpëtoi 70 persona gjatë zjarreve në Mati, vitin e kaluar.

70-vjeçari luftonte prej kohësh me sëmundjen e kancerit, ndërsa mediat greke raportojnë se ai ka mbyllur sytë përgjithmonë.

Për ndarjen nga jeta të shqiptarit ka reaguar edhe kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, i cili shkruante: “Kostas Arvaniti ishte shembull i solidaritetit dhe ndarja e tij nga jeta na mbushi të gjithëve me trishtim. Varrimi i tij do të jetë shpenzim publik. Është një vepër e vogël mirënjohjeje nga të gjithë ne për trimërinë që tregoi natën e tragjedisë kur pa e menduar dy herë shpëtoi 70 persona”, raporton BW.

Si u kthye peshkatari në heroin e Greqisë?

Kur në kalendar shënonte data 23 korrik, Arvanitis duhet që të ishte në një festë për të festuar ditëlindjen e tij me gruan dhe familjen. Në vend që të festonte, Arvanitis nuk ngurroi asnjë minutë që të merrte varkën e tij të peshkimit dhe të nxitonte për të shpëtuar dhjetëra njerëz të bllokuar në brigjet e Matit.

Në bord duke ndihmuar peshkatarin ishte gruaja e tij Chryssa, djali Dimitris dhe punonjësi egjiptian Mahmout Messafer.

“Unë nuk isha në gjendje të menaxhoja dhimbjen, dëshpërimin dhe pikëllimin kur çdo person që unë njihja digjej e përvëlohej. Unë nuk kam folur shumë për atë që kam përjetuar atë natë, pasi nuk mund të përballoja dhimbjen dhe dëshpërimin”, tha shqiptari pas ngjarjes.

Një vit më parë, Greqia u përballë me një nga zjarret më shkatërrues që janë parë ndonjëherë, nga të cilët humbën jetën 103 njerëz, mes tyre edhe tre shqiptarë.