KULTURË

Vdes gazetari dhe shkrimtari Ragip Sylaj

Ka vdekur në moshën 59 vjeçare pas një sëmundjeje gjatë ditës së sotme gazetari dhe shkrimtari kosovar, Ragip Sylaj.

Ragp Sylaj u lind më 25. XI. 1959 në Sllapuzhan të Suharekës, ku i ka mbaruar mësimet e fillores dhe të gjimnazit. Ka kryer studimet master për teknologji në Universitetin e Prishtinës.

Ka punuar mësimdhënës në vendlindje e në SHMT “Skënder Luarasi” në Suharekë, gazetar e redaktor në gazetën e studentëve “Bota e re”, në të përditshmet “Bota sot” e “Zëri” të Prishtinës.

Ka botuar 15 vepra letrare, ku hyjnë librat e poezisë, të prozës, dramës e të esesë.

Për veprimtarinë letrare dhe publicistike disa herë është nderuar me çmime e mirënjohje të ndryshme. Ndërkaq, poezi dhe tregime të tij janë përfshirë në antologji të ndryshme, në gjuhën shqipe dhe në disa gjuhë të huaja.

Ka kryer disa trajnime që kanë të bëjnë me lëmin e marrëdhënieve me publikun.

Që nga 3 maj 2009 punoi si zyrtar i lartë për publikime në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Qeverisë së Republikës së Kosovës.