SHËNDETËSIA

Vdekjet e dyshimta në QKUK po hetohen si raste të ndara

Këtë javë pritet që prokurorisë t`i shkojë raporti i Mjekësisë Ligjore për secilin pacient.

Mbi 10 vdekje po ndodhin pothuajse çdo ditë në vend.

Këto shifra alarmante të vdekjeve po vijnë si pasojë e virusit corona që ka prekur vendin tash e 6 muaj.

Por jo të gjitha vdekjet besohet se ndodhën natyrshëm.

Në orët e hershme të mëngjesit të datës 6 korrik të këtij viti, Policia në numër më të shtuar se zakonisht, u panë tek Klinika Infektive.

Në vend të ngjarjes kishte dalë edhe prokurori.

Krejt kjo me arsyen se brenda kësaj klinike, në një interval të shkurtër kohor gjatë natës, kishin ndodhur 6 vdekje. Dyshimet ishin se kanë vdekur si pasojë e mungesës së oksigjenit.

Ndërkohë, për këto raste, Prokuroria e Shtetit po atë ditë nisi hetimet.

E viktimat u morën për t’u bërë autopsia nga Mjekësia Ligjore.

Këta të fundit siç konfirmojnë për televizionin 7, po e trajtojnë secilën vdekje të asaj dite, veç e veç.

Derisa rezultatet këtë javë do ia nisin prokurorit.

“Jemi duke punuar secili në nga një rast. Unë rastin tim e përfundojë këtë javë dhe ia dorëzoj Prokurorit të rastit”, tha Arsim Gërxhaliu, Drejtor i Mjekësisë Ligjore.

Ka fiks 3 javë, që kur T7 është interesuar të marrë një përgjigje në lidhje me zhvillim e hetimeve për këto vdekje.

Po pavarësisht tentimeve të përditshme, nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Kryeprokurori i shtetit, Kujtim Munishi vetëm ka konfirmuar për televizionin se hetimet po vazhdojnë, duke mos dhënë detaje.

Sidoqoftë T7 merr vesh se, bazuar në gjithë ato që janë mbledhur deri më tani, ende ka dyshime se këto vdekje ndodhën si pasojë e mungesës së oksigjenit.

Mirëpo ende një gjë e tillë nuk është pohuar apo mohuar nga Prokuroria.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.