SPORT

Vdekja e Maradonës, ja hetuesit çfarë kërkojnë

Prokurorët specialë, që po hetojnë rrethanat që çuan në vdekjen e Diego Armando Maradonës, pasi të kenë përfunduar analizat toksikologjike mbi gjakun dhe urinën e ‘Pibe de Oro” dhe analizuar dokumentet që zotëronin neurokirurgu, Leopoldo Luque, dhe mjekja psikiatrja, Agustina Cosachov, planifikojnë të ngrenë një komision mjekësor për të përcaktuar nëse “El Diez” ka marrë përkujdesjen e duhur shëndetësore.

Kjo është raportuar nga gazeta argjentinase “La Nacion”: “Hapi logjik”, – shpjegojnë burimet e kontaktuara nga gazeta në fjalë”, – pasi të njihen rezultatet e studimeve toksikologjike dhe të jenë mbledhur të gjitha provat, siç janë të dhënat mjekësore të sekuestruara, do të ishte që të mblidhej një komision mjekësor për të analizuar situatën dhe për të përcaktuar nëse Maradona ka marrë kujdesin e përshtatshëm shëndetësor. Do të thirren ekspertë nga të gjitha palët”.

Nëntë ditë para vdekjes së Maradonës, psikiatrja Cosachov kishte përshkruar një numër ilaçesh që përdoren zakonisht te pacientët me varësi nga alkooli, simptoma depresive dhe ankthi.

Dje nisën verifikimet toksikologjike (përmes të cilave do të përcaktohet nëse Maradona kishte marrë alkool, ilaçe ose substanca të tjera në orët para vdekjes së tij, dhe studimet histopatologjike (janë ato që analizojnë mikroskopikisht organet dhe indet).