SHËNDETËSIA

Vdekja e dyshimtë e shtatëvjeçares në klinikën private, MSh: Inspektorët po hetojnë rastin

Një shtatëvjeçare sot ka ndërruar jetë pasi i është përkeqësuar gjendja gjatë rezonancës magnetike në një klinikë private. Fëmija më pas është dërguar me urgjencë në QKUK, por sipas Ministrisë së Shëndetësisë, mjekët e ndërrimit kanë thënë se aty kishte shkuar pa shenja jete.

MSh thotë se inspektoratët shëndetësorë janë duke e hetuar këtë rast që nga policia u cilësua si vdekje e dyshimtë.

“Me kërkesë të Policisë së Kosovës, sot me datë 4 gusht 2020, Inspektorati Shëndetësor i Ministrisë së Shëndetësisë ka shkuar për të kryer një inspektim specifik në Institucionin Shëndetësor Privat “CT Scaner” në lagjen Ulpiana të Prishtinës, me themelues A.K”, thuhet në deklaratën e MSH-së.

“Për shkak se institucioni në fjalë në momentin e paraqitjes së inspektorëve shëndetësor para hyrjes së tij ishte i mbyllur nga ana e Policisë së Kosovës, pas disa informacioneve të marra nga Policia dhe banorët në afërsi të IPSh në fjalë, inspektorët shëndetësor kanë shkuar në Klinikën Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ku ishte transferuar një pacient-fëmijë (T.H., viti i lindjes 2013), i cili paraprakisht, i ishte nënshtruar rreth orës 10:00, një ekzaminimi MRI (Rezonancë Magnetike) në IShP “CT Scaner”, të caktuar një ditë më herët. Për të bërë ekzaminimin, fëmija kishte shkuar i shoqëruar në këtë institucion privat nga të dy prindërit e tij”.

“Sipas dyshimeve, për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore gjatë ekzaminimit në IPSh “CT Scaner”, pacienti ishte transferuar në Klinikën Emergjente të QKUK-së, nga ekipi i Mjekësisë Urgjente të Prishtinës, shoqëruar nga një mjek specialist i Anesteziologjisë me Reanimacion i institucionit privat ku ishte kryer ekzaminimi”.

“Me të arritur në Klinikën Emergjente-QKUK, Inspektorati Shëndetësor ka marrë deklaratat e mjekëve të ndërrimit, sipas të cilëve kur pacienti kishte arritur (i transferuar aty, ishte pa shenja jete dhe përkundër reanimimit kardio-pulmonor të ekipit të emergjencës, për rreth dy orë, nuk kishte mbijetuar. Inspektorati Shëndetësor vazhdon hetimet rreth këtij rasti dhe së shpejti do të hartojë raportin përfundimtar rreth të gjeturave të inspektimit në këtë rast”.

Xhaxhai i viktimës, që nuk ka dashur t’i përmendet emri, i tha Klanit se mbesa e tij ndërroi jetë nga mbidoza e anestezionit.

“Vajza është dërguar në një ordinancë private në lagjen “Ulpiana” për të bërë rezonancë magnetike. Ajo ka vdekur si pasojë e mbidozës së anestezionit. I kanë dhënë fillimisht anestezion, por gjatë kohës sa ka qenë duke e bërë rezonancën ajo është zgjuar dhe pastaj i kanë dhënë mbidozë”.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483