Kosova

Vazhdonjё raportet e kёqija ndёrmejt krerёve shtetёrorё

Pavarësisht tentativave, i paarritshëm doli të jetë edhe të mërkurën një takim mes dy krerëve shtetërorë, presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit Albin Kurti. Për të dytën herë radhazi Kurti e refuzoi takimin, i cili, sipas Thaçit, kishte për qëllim unifikimin e qëndrimeve karshi negociatave me shtetin serb.

As të mërkurën nuk arritën të takohen presidenti Hashim Thaçi dhe kreu i ekzekutivit Albin Kurti.

Pavarësisht ftesës së Thaçit, i cili e ftoi për të dytën herë Kurtin në një takim, që sipas tij kishte për qëllim unifikimin e pozicionit të Kosovës në dialogun me Serbinë, kryeministri i vendit nuk i është përgjigjur fare kësaj ftese. Këtë gjë e konfirmoi të mërkurën presidenti Thaçi, i cili tha se Kurti refuzoi ftesën, e cila kishte si opsion tri orë të ndryshme. Ndërkohë nga zyra e Kurtit theksuan se për shkak të agjendës së ngjeshur kryeministri Kurti mund ta takojë tek të premten presidentin Thaçi.

Përpos kësaj tentative, Thaçi donte ta takonte edhe të hënën Kurtin në cilësinë e kryetarit të LVV-së, pasi takoi edhe krerët e partive të tjera për t’i informuar rreth takimeve të tij në SHBA. Mirëpo kryeministri Kurti kishte deklaruar se nuk ka interes ta takojë presidentin si kryetar i partisë, ndërsa si kryeministër do ta takonte ditëve në vijim. Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se unifikimi i presidentit dhe i kryeministrit të vendit në politikën e jashtme është detyrë kushtetuese, derisa mosunifikimi i dy liderëve dëmton pozitën e Kosovës në sferën ndërkombëtare.