SPORT

Vazhdon forma e dobët

Barcelona nuk ka mundur të marrë më shumë se një pikë te Deportivo Alavesi pasi ka barazuar 1-1 në ndeshjen e vlefshme për javën e tetë në La Liga.

Ekipi i Ronald Koeman nuk ka arritur t’i kthehet fitores as pas dy humbjeve radhazi, pasi morën vetëm një pikë në udhëtim te Alavesi.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me dominim total të Barcelonës, por edhe përkundër rasteve nga Ansu Fati (13’) dhe Lionel Messi (23’, 45+) nuk arritën ta gjejnë golin.

Atë që nuk e bënë katalunasit e bënë vendasit e Alavesit, të cilët në minutën e 31-të arritën të shënojnë me anë të Luis Rioja, i cili shënoi për 1-0 pas një gafe amatore të portierit Neto.

Në pjesën e dytë, Barcelona rriti sulmet dhe dominimin në tentim për të kthyer rezultatin, por maksimumi ishte një gol i shënuar për një pikë.

Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e 63-të dhe ishte Antoine Griezmann, i cili shënoi gol të bukur me parabolë për 1-1.

Deri në fund të ndeshjes, Barcelona pati edhe shumë raste tjera, por pa arritur t’i ndryshojnë shifrat dhe në fund ndeshja u mbyll baras.

Pas këtij barazimi, Barcelona e sheh veten në pozitën e 12-të me tëtë pikë, po aq pikë sa ka edhe Alavesi një pozitë më poshtë.

Në ndeshjen e ardhshme, Barcelona e pret në shtëpi Real Betisin, ndërsa Alavesi luan në udhëtim te Levante.