SHËNDETËSIA

Vazhdojnë reklamat e IVF-së nga spitalet private, Inspektorati pezullon inspektimet

Inspektorati Shëndetësor ka pezulluar inspektimet në klinikat private ku kryhet Fekondimi i Asistuar Mjekësor. Dy klinika, njëra e licencuar dhe tjetra në procedurë, po vazhdojnë me reklamimin e këtij shërbimi, gjë që është e ndaluar me Udhëzimin Administrativ

Udhëzimi Administrativ 06/2013 ndalon dhe sanksionon të gjitha metodat e reklamimit të Fekondimit të Asistuar Mjekësor. Por kjo nuk po e pengon Spitalin ‘Aloka’ dhe ‘Millenium’ që të bëjnë reklamimin e këtij shërbimi.

Madje këtë nuk është duke e penguar as Inspektorati Shëndetësor, i cili e ka për obligim ligjor që të bëj inspektime në këto raste. Por ky institucion aktualisht duket se ka pezulluar inspektimet në këto klinika. Kjo për faktin se që nga muaji shtator nuk është kryer asnjë inspektim në asnjë klinikë ku ofrohen shërbimet e IVF-së, shkruan Gazeta Shneta.

Gazeta ka kërkuar përgjigje nga klinikat private ‘Aloka’ dhe ‘Millenium’, por vetëm ky i fundit ka pranuar të përgjigjet.

‘Aloka’ ka vazhduar të bëj reklamimin e IVF-së në faqen zyrtare në Facebook duke ofruar edhe zbritje për këtë shërbim, ndërsa ‘Millenium’ e ka fshirë postimin duke e quajtur “gabim teknik”.

“Spitali i përgjithshëm ‘Millenium’ e ka të licencuar shërbimin e gjinekologjisë me obstetrikë. Në spitalin tonë nuk ofrohet shërbimi i IVF-së e as nuk është ofruar më parë. Përmendja e IVF-së në shkrimin në Facebook është një gabim teknik”, thuhet në përgjigjen e këtij spitali.

Gazeta ka kërkuar përgjigje nga kryeinspektorja e Inspektoratit Shëndetësor Dr. Nora Krasniqi, për pezullimin e inspektimeve, por ajo thotë se këto klinika private janë nën monitorim.

“Çdo institucion që ofron shërbime të FAM është duke u monitoruar, përfshirë edhe institucionet që më vonë janë licencuar për këtë lloj shërbimi. Masa ndërmirren kur konstatohet se ka shkelje, përndryshe institucionet janë të obliguara të ushtrojnë veprimtarinë në përputhje me licencën që e kanë”, thuhet në përgjigjen e Krasniqit nëpërmjet Zyrës për Media të MSH-së.

Inspektorati Shëndetësor muaj më parë ka ndaluar ofrimin e shërbimit të IVF-së në disa klinika, në të cilat janë arrestuar edhe disa doktorë e pronarë nga Policia e Kosovës. /Gazeta Shneta/

Leave a Reply

Your email address will not be published.