Kosova

Vazhdojnë aktivitetet e kampit kreativ me fituesit e garave republikane

Nxënësit fitues të nivelit republikan të garave në kuadër të Programit Nacional për Rininë, po qëndrojnë në Shqipëri për kampet kreative që ka organizuar Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport.

Gjatë ditës së sotme ata vizituan qytetin e vjetër të Durrësit, muzeun arkeologjik, amfiteatrin, shtëpinë muze të Aleksandër Moisiut, shëtitoren dhe Kalanë e Durrësit. Nëpërmjet ciceronëve nxënësit u njoftuan për historikun dhe të veçantat e secilit vend që ata vizituan.

Pas këtyre vizitave, nxënësit fitues zhvilluan aktivitete të lira që kryesisht kishin të bënin me lojëra sportive dhe socializim.

Janë gjithsej 211 nxënës fitues të këtyre garave nga 29 komuna të Kosovës vetëm për klasat X, XI, dhe XII. Gjatë gjithë kohës së qëndrimit nxënësit janë nën përkujdesje të stafit mjekësor, Policisë së Shtetit të Shqipërisë, mësimdhënësve si dhe stafit të Koordinatorit Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport.​