OPINION

Vatra: Kosovë, gëzuar pavarësinë!

Federata pan shqiptare e Amerikës “Vatra” uron 12 vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

Federata Pan Shqiptare e Amerikës “VATRA” u përcjell shqiptarëve në Kosovë dhe në Diasporë urimet më të përzemërta për përvjetorin e 12-të të Pavarësisë.

Kjo ditë e bekuar është historike dhe Kombëtare dhe nuk u përket vetëm qytetarëve shqiptarë që jetojnë në Dardaninë tonë, por në të gjitha trojet Kombëtare dhe në Mërgatë.

Vatra, e krijuar si nevojë historike për të mbrojtë Kombin Shqiptar dhe Trojet Kombëtare nga rreziku i zhdukjes, Vatra që i priu Pavarësisë Kombëtare, përcjell sot mesazhin e bashkimit dhe Unitetit Kombëtar.

Vatra përcjell në këtë ditë feste respekt e nderim për dëshmorët e Lirisë dhe për të gjithë ata që i rezistuan okupimit serb.

Në këtë ditë të shënuar Vatra, kujton me respekt e nderim arkitektin historik të Pavarësisë së Kosovës, mikun e vet, Presidentin e parë, Dr. Ibrahim Rugova.

Falë meritave të dr.Ibrahim Rugovës, ne sot kemi mikun më të fortë, fuqinë më të madhe ekonomike dhe ushtarake në botë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian ku Republika e Kosovës synon të anëtarësohet.

Gjejmë rastin që të përshëndesim aktin bashkues që bëri në Ditën e Pavarësisë kryeministri i Kosovë Albin Kurti duke shkuar bashkë me Kryetaren e Parlamentit Vjosa Osmani pranë varrit të Dr. Rugovës.

Edhe në të ardhmen presim sinjale të tilla që na bashkojnë dhe nuk na përçajnë.

Nderojmë në ditën e festës Mërgatën në SHBA dhe Evropë për kontributin e madh që dha për lirinë e Kosovës. Respekt për Batalionin Atlantiku, për Dëshmorët e Diasporës, Vezir Ademi dhe vëllezërit Bytyçi! Gjaku i tyre është në themelet e Lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës.

Në emër Kryesisë dhe Këshillit të Vatrës, të degëve të saj në SHBA dhe në Kanada, si dhe në emër të të gjithë veteranëve Ju përcjell Urimin.