SPORT

Valverde ende e “vajton” humbjen nga Liverpooli

Trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde, e ka kujtuar fundin e sezonit të kaluar, ku përveç eliminimit nga Liverpooli në Ligën e Kampionëve, dështuan edhe në Kupën e Spanjës.

Spanjolli mendon se disfata e rëndë nga Liverpooli, ndikoi edhe në finalen e Kupës së mbretit ku humbën nga Valencia.

“Në Anfield, ne kishim raste, por ata shënuan herët dhe psikologjikisht filluam të shqetësoheshim se ajo që ndodhi në Romë, mund të na përsëritet. Ishte një moment dobësie dhe ne e paguam atë. Ishte një nga momentet më të vështira të vitit”, tha Valverde në një intervistë për faqen zyrtarë të klubit, transmeton KTV.

“Ne duhet të pranojmë se atë që morëm në Liverpool, ndikoi te morali i lojtarëve i cili ra shumë në finalen e Kupës së Mbretit kundër Valencias. Nëse do të fitonim kundër Liverpoolit, do të kishim fituar edhe finalen e Kupës”, theksoi Valverde.

Trajneri i Barçës ka folur edhe për sezonin 2019/2020, ku thotë se është i kënaqur me rezultatet që janë arritur, pavarësisht fillimit jo të mirë.

Me paraqitjet e Griezmannit dhe De Jongut, theksoi se është shumë i kënaqur dhe beson se ata mund të japin edhe më shumë gjatë vitit 2020.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.