KULTURË

Vals kohësh me shi – vals arti

Mumin SHUTAJ, Vals kohësh me shi, Alb-Kult, Shkup, 2020
Shkruan: Sarë GjERGJI

Poezia jo më kot vlerësohet si një zhanër letrar par excellence. Ka ekzistuar shumë kohë para krijimit të qytetërimeve të mëdha, duke e bërë atë më të vjetrin e zhanreve. Ajo i ka përcjellë dhe pasqyruar kohërat me të gjitha manifestimet e mundshme. Ka triumfuar me kalimin e kohës dhe ka evoluar bashkë me të. Ajo që e karakterizon atë, përveç tjerash, është fakti se përmes saj është e mundur të pavdekësohet e të mbahet gjallë gjithçka që syri mund të shohë dhe gjithçka që shpirti,  ndjenja njerëzore (e poetit) mund të perceptojë. Njësoj mund të thuhet edhe për poezinë e përfshirë në dorëshkrimin Vals kohësh me shi. Ajo ka aromën e jetës, me të gjitha pasionet e saj, në të gjitha aspektet e saj. Një botë në lëvizje, në qendrën e së cilës mbetet gjithsesi njeriu, në rrjedhën e tij të patjetërsueshme.

Dorëshkrimi në fjalë, që për mendimin tim është rezultat i një mendje shumë të ndjeshme dhe të vëmendshme, shquhet për një gjuhë poetike të rafinuar e për një stil tejet të veçantë. Përdorimi me vend i figurave nga më të ndryshme letrare-stilistike, lexuesin jo vetëm e gllabërojnë dhe e thellojnë në lexim,  por, për më tepër e përfshijnë atë, në atë përmasë sa duket se e bëjnë pjesë të procesit të mëtejmë krijues: poezia sikur vazhdon të “shkruhet” tanimë nga lexuesi; gjithnjë duke pasur parasysh poezinë si shkak të mundshëm të reflektimeve dhe përjetimeve të ndryshme; të asociacioneve që ngjall tek marrësi, perceptuesi.

Sentimenti i botës poetike tregon që autori është i vëmendshëm ndaj ngjarjeve nga më të ndryshme  jo vetëm të kohës së tij. Temat që trajtohen në libër janë  të shumta. Përmes tekstit poetik autori guxon përtej frazës, përzien hijen dhe dritën dhe krijon në mënyrën e tij imazhet që për shumëçka e sensibilizojnë lexuesin.

Poezia, që mund të jetë në të gjitha gjërat, madje edhe në gjestet më të zakonshme, në qëndrimet më të thjeshta, shquhet për një forcë të jashtëzakonshme jetësore; edhe kur nuk është e dukshme, është e pranishme në simbolikën e saj.

Bota e veçantë e këtij vëllimi me poezi gjendet në simbolet dhe sistemin e figurave të shumta poetike. Si e tillë, poezia del të jetë ekskluzivisht dinamike, e pikturuar me një kolorit ngjyrash të forta, të tilla që i japin forcë leximit. Poezitë – 106 sosh, të sistemuara në katër njësi ciklike – rrëfejnë në mënyrë të përzemërt e plot gjallëri gjithë shpirtin e autorit: gëzimin, hidhërimin, shpresën, ëndrrat… Përmes vargjeve të “vals dhimbjesh” ne mund të ravijëzojmë dhe gjurmojmë rrugën e një jete në udhëtim të vazhdueshëm; rrugën që na çon drejt bukurisë, drejt vlerave.

Në libër hetohen të gjitha kohërat: e kaluara me të “fshehtat”  – me përvojën e saj, e tashmja  me përkohshmërinë e saj dhe e ardhmja: vizioni. Poezia shndërrohet në kujtesë, gjak e jetë; në një rimëkëmbje vlerash universale. Vërtet, me një elegancë të shquar stilistike dhe leksikore,  vargjet sjellin një botë imazhesh të gjalla që e mbajnë lexuesin në një dimension gati surrealist.

Teoricienët  e letërsisë Velek e Voren, poezinë e cilësojnë organizim të sistemit tingullor të gjuhës  (shtresa tingullore është faktor integral i veprimit estetik), ndërsa kuptimin e poezisë e shohin si kontekstual: fjala bart më vete jo vetëm kuptimin që e ka në fjalorë si fjalë, por edhe aureolën e sinonimeve dhe homonimeve. Fjalët jo vetëm kanë kuptimin, por edhe e grishin domethënien e fjalëve të tjera. Në kontekst të kësaj, autori një rëndësi të veçantë i kushton ritmit dhe tingullit, gjithashtu duke e ngarkuar fjalën me ngjyresa të shumta semantike. Poezia e Mumin Shutaj nga ky aspekt do t’i imponohet lexuesit, sikundër edhe kritikës letrare, si një poezi e një niveli të lartë artistik; si një poezi provokuese (për të mirë) dhe si një katharsis në një kohë kur mbi gjithçka duket se dominon kaosi. Për ta kuptuar dhe absorbuar  gjithë fuqinë e kësaj poezie duhet një ndjeshmëri e lartë. Që kjo poezi të perceptohet dhe të ndihet është e nevojshme që lexuesi/marrësi të jetë i hapur për përvoja të ndryshme, pavarësisht asaj që autori arrin ta universalizojë përmbajtjen poetike të teksteve të tij, gjë që mund ta ndihmojë lexuesin për t’u identifikuar më lehtë me mesazhet që bartin vargjet e tij.

Në një kohë si kjo e jona, kur zhanri poetik nuk “shijon” shëndetin e tij më të mirë, mendoj se ky dorëshkrim na bën edhe më të vetëdijshëm e më të vëmendshëm ndaj larmisë poetike; ndërsa provokon reflektim, dorëshkrimi, përmes ndërtimeve simbolike, u përgjigjet disa prej shqetësimeve tona në nivele e rrafshe të ndryshme. Efekti kuptimor dhe artistik mbështetet në elemente të shumta të shprehjes poetike,  gjë që do e bëjnë këtë poezi edhe më të pranueshme për lexuesin.

Gjithsesi, arti letrar si art i fjalës së bukur artistike është i lidhur me leximin. Perceptimi i saj, ndërkaq,  është një çështje intime dhe individuale.

Botimi i dorëshkrimit “Vals kohësh me shi”, i sendërtuar me një mal idesh, mendimesh, kuptimesh, simbolesh, figurash, asociacionesh, gjuhës shumë sugjeruese etj. që, për mendimin tim, tërheq  imagjinatën e lexuesit në gjëra përtej tokësores, do bëjë që zemra e lexuesit të rrah më shpejt e të kënaqet  në përjetësimin e fjalës poetike . 

Leximi i këtij libri do jetë interesant për shumë arsye, para së gjithash, për shumësinë e përbërësve sugjerues të kësaj poezie.

Këtë poezi mund ta kuptojmë dhe cilësojmë si një manifestim të vetë artit, duke vlerësuar bukurinë, estetikën dhe zgjimin e ndjenjave. Janë vargje plot harmoni, ritëm, emocione.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.