SPORT

Valon Berisha kthehet përsësëri te Lazio

Mesfushori i Kosovës, Valon Berisha do të rikthehet te Lazio pas gjashtë muajve te ekipi gjerman Fortuna Duesseldorf.

Por, Berisha nuk do të mbetet pjesë e Lazios për edicionin e ri për shkak se pritet të përfshihet në ofertën për qendërmbrojtësin e Veronas, Marash Kumbulla.

Lajmi është bërë i ditur të hënën nga mediumet italiane. Berisha ka kontratë me Lazion deri në vitin 2023, por në fillim të këtij viti u huazua për gjashtë muaj te Fortuna Duesseldorfi, ekip që kishte të drejtën e blerjes së kartonit të tij, nëse do të siguronte mbetjen në Bundesligë edhe për sezonin 2020/21. Por, Fortuna edicionin tjetër do të bëjë gara në Bundesligën 2 dhe për këtë arsye Berisha do të rikthehet te Lazio që po insiston në transferimin e Kumbullës, i cili ka shkëlqyer këtë edicion me paraqitjet e tij.

Për ta lënë të lirë 19-vjeçarin, Verona po kërkon 30 milionë euro dëmshpërblim dhe Lazio do ta përdor kartonin e Berishës për të shpenzuar më pak para në transferimin e Kumbullës. Te Lazio po synojnë që krahas Berishës të ofrojnë edhe rreth 20 milionë euro për të bindur Veronan që ta lë të lirë Kumbullën, i cili ka kontratë deri në verën e vitit 2022.

Berisha te Lazio u transferua para dy vjetësh nga Salzburgu i Austrisë dhe pritjet për të ishin të mëdha te ekipi nga Serie A, që për kartonin e tij pagoi dhjetë milionë euro dëmshpërblim. Mirëpo, problemet fizike për shkak të ngarkesave në stërvitje kanë ndikuar në numrin e vogël të paraqitjeve të tij te Lazio. 27-vjeçari, në total ka regjistruar 22 paraqitje te Lazio në të gjitha garat.

“Pas rënies së Fortuna Duesseldorfit nga Bundesliga, mesfushori Valon Berisha do të rikthehet te Lazio. Por, te Lazio do të përpiqen që Berishën ta përdorin për transferimin e Kumbullës, i cili pëlqehet shumë nga trajneri Simone Inzaghi”, ka shkruar sajti italian “Calciomercato”.

Berisha në pjesën e dytë të këtij edicioni, regjistroi 13 paraqitje në Bundesligë te Fortuna Duesseldorfi që përfundoi e parafundit me 30 pikë të grumbulluara.

Leave a Reply

Your email address will not be published.